Frederik Ndoci, Redon Makashi, një grup polifonik dhe të tjerë artistë do të jenë në skenë në spektaklin “Krishtlindje në Tiranë”, që këtë vit vjen në sezonin e nëntë. Prej vitesh ky spektakël i bashkohet jetës artistike në Tiranë, ku në muajin dhjetor do të zhvillohet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. “Krishtlindje në Tiranë” vjen i kuruar deri në detaje nga producenti e prezantuesi Sokol Guga, i cili këtë vit premton një spektakël me emrat më të mirë të skenës dhe televizionit. Edhe ky edicion do të vij për të gjithë shqiptarët në datë 25 dhjetor, për të kremtuar Krishtlindjet të gjithë bashkë. Spektakli “Krishtlindje në Tiranë” vjen nën prezantimin e tre emrave të njohur, Sokol Guga, avokatia e njohur Eni Çobani dhe autori e prezantuesi Albert Dumani. Producenti Guga na zbulon disa detaje shumë interesante për këtë sezon të 9-të të këtij spektakli në Tiranë. “Ky edicion do të ketë jo vetëm artistë të rinj, pra emra të rinj si Alisa Zhapa, por edhe emrat më big të këngës e artit shqiptar si: Redon Makashi, Renis Gjoka, Vesa Luma e Big Basta deri tek i madhi Frederik Ndoci, që do të ngjiten në skenë. Për herë të parë, pjesë të spektaklit “Krishtlindje në Tiranë” do të jenë edhe një grup polifonik, që do të gërshetohet bukur me muzikën e Krishtlindjeve, ky është një ngacmim që producenti muzikor Gent Myftaraj i bën publikut. Sigurisht nuk do të mungojnë edhe trupa e baletit, e cila është pjesë përbërëse e këtij spektakli”, shprehet Sokol Guga. Gjithçka duket se do të marrë formë në 25 dhjetor në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku pritet të dhurohet show në skenë. Skenografia edhe e këtij edicioni i është besuar skenografit Bledar Gërcaliu, i cili këtë vit do të vijë një skenografi me motive Krishtlindjesh.












































