Kinemaja në vend përballet me probleme të ndryshme, ku herë pas here flitet për prodhimet e filmave shqiptarë, aktorët në ekranin e kinemasë, etj. Por për regjisorin Mevlan Shanaj nëse ndjekim teatrin në vendin tonë, në skenë kanë spikatur aktorë me përvojë, që sipas tij duket se garën e ka fituar skena krahasuar me ekranin. “Në vitet e fundit, por jo të fundit fare, pra në këto gati 20 vjetët e fundit dëgjohet të thuhet se në kinema nuk po duken aktorë të filmit si në vitet kur kinemaja shqiptare pati një hop cilësor, si në prodhim të filmit dhe shpërthim të një numri aktorësh. Vazhdon jehona e arritjeve të karaktereve të shumë e shumë aktorëve të filmit dhe teatrit! Nëse ndjekim teatrin duhet ta pranojmë se këto vite jo vetëm kanë spikatur aktorët me përvojë, por kemi një rritje të numrit të aktorëve të rinj që po flasin me profesionalizëm! Në një kuptim real garën e ka fituar skena krahasuar me ekranin!”, shprehet regjisori Mevlan Shanaj “Mjeshtër i Madh”. Mevlan Shanaj regjisor dhe aktor me një aktivitet të suksesshëm në kinematografinë shqiptare shprehet dhe për talentet në kinema. Sjell në vëmendje aktorë shqiptarë që shfaqen në ekranet jashtë vendit, por Shanaj thotë se ka diçka që po çalon në kinemanë shqiptare. “U bënë vite që ka zbrazëti “talentesh” i fundit që u duk si një talent ishte djaloshi simpatik Kreshnik Xhelili, që na humbi ekraneve të Europës! Ndoshta edhe Olta Gixhari, me zig zaget e saja! Të tjerë që të kenë shënuar mbresa nuk po më kujtohen! Mund të jetë edhe nga mënyra e shpërndarjes së prodhimit të filmave apo edhe të kujtesës sime! Apo ndoshta prodhimet e fundit janë ende jetë shkurtër? Pra është diçka që çalon?! Mendoj se mungesa e “heronjve” të ekranit është një zbrazëti e ndërlikuar për kulturën e një shoqërie”, vijon më tej regjisori i njohur Mevlan Shanaj.
Nostalgjia për filmat para ‘90
Regjisori Mevlan Shanaj thotë se e befasojnë njerëzit lidhur me nostalgjinë për filmat e para viteve ‘90. Sipas regjisorit, ky komunikim tani është kaq i zakonshëm nga ata që vijnë për pushime dhe kanë mall për çdo gjë të këtij vendi! “Lidhet me jetën e tyre, e shkuara (e nemura), por ja që siç thuhet gjuha vete ku dhemb dhëmbi! Disa herë vihesh në pozita me shprehjet e njerëzve! Ju duam ju artistëve se me filmat tuaj jemi rritur! Ne ato filma vazhdojmë shikojmë! Nuk vijnë më artista si ju, të thonë pa reshtur! Epo, u them, vetëm ato kishit dhe jeni mësuar! Këto kërkesa të shikuesve për ekranin janë të pandalshme! Që kur erdhi kinemaja shoqërisë njerëzore nuk i kanë munguar modelet e frymëzimit njerëzimit! Kinemaja është ëndrra që shton ëndrrat në çdo moshë! Kjo e drejtë nuk funksionon prej vitesh në shumë kinema të Shqipërisë!”, shprehet Shanaj. Mevlan Shanaj ka interpretuar në filma si “I teti në bronz”(1970) regjisor Viktor Gjika, “Malet me blerim mbuluar” (1971) regjisor Dhimitër Anagnosti, “Guximtarët” (1970) regjisor Gëzim Erebara, “Rrugicat që kërkonin diell” (1975) regjisor Saimir Kumbaro, Rikard Ljarja, “Pranvera s’erdhi vetëm” (1988) i Piro Milkanit, “Unë e dua Erën” (1991), regjisor Albert Minga, etj. Të tjera realizime të tij janë filmat artistikë: “Korrierët” (1976), “Plumba Perandorit” (1980 ), “I “Paharruari”(1984), “Të shoh në sy” (1985), “Një telegram dhe një këngë” (1986), “Fletë të Bardha” (1990), “Lule të kuqe, lule të zeza” (2003), etj, si dhe dokumentarë të ndryshëm.