Opera “Flauti magjik” u shfaq në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në fundjavë. Më herët Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehej se risillte një ndër operat më të veçanta për fëmijë dhe familje. “Shfaqja e parë e operës “Flauti magjik” me shumë fëmijë artdashës nga shkolla e qytete të ndryshme”, shprehej TKOB. “Flauti magjik” është një opera e kompozuar nga Volfgang Amadeus Moxart dhe me libret të Emanuel Schikaneder. Në një tokë magjike, ku është e vështirë të dallosh të mirën nga e keqja, Princi Tamino humbet rrugën dhe rastësisht takon një personazh qesharak të mbuluar me pupla, i quajtur Papageno. Dy të rinjtë, të mbrojtur nga fuqitë magjike të një flauti dhe një kutie muzikore, të ndihmuar dhe nga dy vajza të guximshme, Pamina dhe Papagena, do të sfidojnë personazhet e errëta dhe do të mësojnë të kapërcejnë frikën e tyre më të madhe, duke gjetur kështu edhe dashurinë e vërtetë. Kjo përrallë u rrëfye në skenën e madhe të TKOB-së, me Orkestrën Simfonike të TKOB-së, nën dirigjimin e Dritan Lumshit, me idetë regjisoriale të Ada Gurrës dhe me bashkëpunimin e konservatorit “Umberto Giordano”, të Foggia-s, më 14 dhe 15 tetor. Muzika e bukur e Moxarit dhe artistët argëtuan spektatorët e vegjël në TKOB. Wolfgang Amadeus Moxart ( 27 janar 1756 – 5 dhjetor 1791) ishte një kompozitor i shquar dhe me ndikim gjatë epokës moderne. Moxart shkroi mbi 600 pjesë muzikore, duke përfshirë 16 mesha, 14 opera, 41 simfoni, 27 koncerte për piano, 5 koncerte për violinë, 8 koncerte për instrumente frymore dhe orkestër e shumë të tjerë. Opera “Flauti magjik” që u shfaq gjatë dy ditëve në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit vjen në vijim dhe të tjera veprimtarive që po zhvillon ky institucion për fëmijët.