Komedia satirike “Ferma e kafshëve” kryevepra e George Orwell me regji nga Driada Dervishi në skenën e Teatrit Kombëtar

0
113

“Ferma e kafshëve” kryevepra e George Orwell, që ngrihet kundër çdo tiranie, rikthen në skenën teatrore aktorët e Teatrit Kombëtar. Një nga alegoritë politike më të njohura të shekullit të njëzet, “Ferma e kafshëve” na shpie në botën politike të pas revolucionit, ku çliruesit bëhen shtypës dhe të shtypurit përfundojnë në makinën grirëse të historisë. Kryevepra e autorit George Orwell me regji nga Driada Dervishi të premten, të shtunën dhe të dielën në mbrëmje vjen në skenën e Teatrit Kombëtar te “ArTurbina” në Tiranë. Një revolucion ndodh në Fermën Menër. Kafshët ngrihen kundër njeriut pronar dhe marrin kontrollin e fermës. Por dikush duhet ta zërë vendin e drejtuesit të fermës, e të gjithë bien dakord se duhet ta marrin kafshët më të zgjuara të fermës: Derrat. Napoleoni është derri që bëhet udhëheqësi kryesor i fermës, fillimisht me tone entuziaste vëllazërie e barazie, ai i bind se është e afërt rruga drejt të ardhmes së lirë, ku do të punojnë të gjithë vetëm për vete, larg babëzisë së njeriut. Nuk kalon shumë dhe parimet e premtuara kthehen në vargonj që i lidhin kafshët edhe një herë. Vepra teatrore vjen në skenë me pjesëmarrjen e veçantë të Bojken Lakos. Në role në komedinë satirike “Ferma e kafshëve” interpretojnë Neritan Liçaj, Hervin Çuli, Erjona Kakeli, Florian Agalliu, Anila Bisha, Donald Shehu, Niada Saliasi, Dori Caushi, Xhuliano Brisku dhe Urim Aliaj. Vepra është përkthyer nga Sokol Çunga, muzika dhe efektet Bojken Lako e Mia Lako. Skenografia nga Ergys Krisiko, kostumografia Berina Kokona, koreograf Robert Nuha, vocal coach Mia Lako. Teatri Kombëtar hapi sezonin artistik në korrik 2021 me veprën teatrore “Ferma e kafshëve” me regji nga Driada Dervishi. Pas një mbylljeje të gjatë për shkak të pandemisë Covid 19, “Ferma e kafshëve”  riktheu në skenë aktorët e Teatrit Kombëtar. Më parë regjisorja Dervishi ka treguar se gjejmë shumë pika takimi me rrjedhën 50-vjeçare të historisë në Shqipëri dhe se së pari është përpjekur që vepra të flasë shqip. Komedia satirike që do të jetë gjatë këtyre tre mbrëmjeve në skenën teatrore te “ArTurbina” vjen në vijim dhe të tjera shfaqjeve këtë sezon artistik për publikun.

Orwell si autor

George Orwell ka shkruar 9 libra, dy përmbledhje me ese të shkurtra dhe disa qindra recensione dhe shkrime të tjera që përbëjnë artikuj të gazetarisë. George Orwell njihet si një shkrimtar politik, me një penë të mprehtë, i cili mbeti deri në fund një kundërshtar fortë i totalitarizmit. “Ferma e kafshëve” është vepra që i dha famë botërore, edhe pse fillimisht hasi pengesa në botimin e saj. Një tjetër roman i jashtëzakonshëm i profecisë politike, është romani “1984” batuta e të cilit “Big brother is watching you”( Vëllai i madh po të vëzhgon) është kthyer në një përdorim të zakonshëm i gjuhës sonë të përditshme. George Orwell lindi më 25 qershor 1903 në Indi në fshatin Motihari afër kufirit me Nepalin dhe vdiq me 21 janar 1950 në Londër.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here