Google search engine
Home Kulture Elma Doresi: Kur “gallata” shitet për teatër është mjerim

Elma Doresi: Kur “gallata” shitet për teatër është mjerim

0
101

Regjisorja thotë se teatri është një vend ku njerëzit vijnë të kalojnë kohën, por artistikisht dhe jo në formë gallate

Shfaqje teatrore, drama apo komedi vihen në skena, por herë pas here dhe niveli artistik është diskutuar jo pak. Për regjisoren Elma Doresi teatri është vendi, ku njerëzit vijnë të kalojë kohën artistikisht, dhe jo në formë gallate. Doresi thotë se në teatër është më e vështirë të realizosh një komedi se sa dramë, por sipas saj gallata nuk duhet të shitet për teatër. “Kur “gallata” shitet për teatër: mjerim. Shpesh më kanë bërë kërkesë si: “Na gjej një vepër që t’boj me qesh” apo “llaç fare”. Kërkesë kjo që ka rënë poshtë herë me diplomaci e herë në heshtje nga ana ime, se siç thotë edhe një mik i imi i hershëm “ti Elma vdes për të futur pak dramë në komedi”. Që ta sqarojmë më tej këtë të fundit: Në teatër, është shumë më e vështirë të realizosh një komedi se sa një dramë”, thotë regjisorja. Por me çfarë ndodh me jetën artistike, regjisorja Elma Doresi vijon në reagimin e saj të shprehur dhe në Facebook, se disa nga paditura e mos leximi e ca nga mania e të kapurit të një projekti dhe disa për të bërë lekë, kanë vetëm një qëllim për të bërë me qeshur.  Doresi thotë se jo çdo gjë vihet në skenë. “Që e thënë midis nesh, humori është një gjë, e gallatat tjetër gjë komplet. Gallata bëjmë në tavolina me miq apo në lagje, por kurrsesi të bësh gallatë në teatër (jo çdo gjë ngjitet në skenë). Por që të bëhet ky dallim kërkon shumë punë, eksperienca, etj. Kështu pra, gallata dhe teatri. “Të luash komedinë, do të thotë të luash me hallin e një shoqërie ku bën pjesë dhe ti dhe unë, të trajtosh një temë apo një problematikë duke mos harruar të mbash ti një qëndrim ideo emocional”-ndër të tjera ka thënë Rey Conney ose siç ne e njohim “Një mjeshtër i komedisë farse”. Kujdes, një gjë është autori dhe tjetër gjë regjisori”, shprehet regjisorja Doresi.

Puna që kërkon një vepër

Komedia “Mbledhje e jashtëzakonshme në Parlament” shkruar nga Rey Conney erdhi premierë në skenën e teatrit në 2020 me regji nga Elma Doresi. Ndërsa e sjell në vëmendje këtë pjesë, Doresi thotë se tek “Mbledhje e jashtëzakonshme në parlament”, komedi nga Rey Conney, ka shumë humor, batutë dhe situatë. “Por kjo që të arrihej, duhej kapur halli dhe problematika si ajo e sekretares së opozitës me ministrin në hotel, tradhtia bashkëshortore, e një populli që verbohet dhe tallet nga politika, etj. Ne qeshim me “vuajtjen e Jovan Bregut” teksa kërkon medoemos të bëhet magazinier. Pse? Sepse ai është shumë i besueshëm në hallin dhe qëllimin e tij, gjë që sjell komiken tek ne. E thënë shkurt: Luaj hallin! Nëse aktorit nuk i lexohet halli, atëherë përfundojmë rëndomtë në gallatë”, thotë Doresi. Me një aktivitet  prej vitesh në teatër, regjisorja Doresi thotë se në skenë lexohet çdo gjë, edhe ai aktori që ka mësuar tekstin përmendësh, edhe ajo batuta e momentit, edhe ai që përpiqet , edhe ai që sipas saj as tekstin se ka mësuar e lëre pastaj krijimin e një figure artistike. “Teatri në fund të ditës është një vend ku njerëzit vijnë të kalojnë kohën por artistikisht dhe jo në formë gallate. Është bukur kur publiku del pas shfaqjes dhe thotë : “U kënaqa. Qesha shumë dhe mora mesazhe të bukura”. Por këto përshtypje e shumë e shumë të tjera, nuk i merr nga gallata apo “me bo me qesh”, përfundon Doresi në reagimin e saj. Në aktivitetin me teatrin, “Kukulla” ishte shfaqja  e fundit që Doresi solli në skenë. Premiera e saj u shënua në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here