Shfaqja “Gjirafat s’vallëzojnë dot” vjen këtë shtator në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental. Shfaqja do të jetë në datat 23, 24, 28, 29 dhe 30 shtator paradite në skenë me regji dhe koreografi nga Semela Skënderasi. Performues në këtë shfaqje për fëmijë janë Valentina Myteveli, Mariel Brahimllari, Erta Sina, Semela Skënderasi. Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” shprehet ndër të tjera se bazuar në librin për fëmijë me të njëjtin titull, me autor Giles Andreae, është një shfaqje dansi argëtuese dhe edukative për fëmijë, e cila me anë të gjuhës së trupit tregon se gjithsecili prej nesh është i ndryshëm, por unik në të njëjtën kohë. “Gjirafat s’vallëzojnë dot” ka në qendër Geraldin, një gjirafë që nuk dinte të kërcente. Geraldi ka katër këmbë të majta, gjunjët i mban gjithmonë përkulur dhe këmbët i ka të ngurta. Falë ndihmës së Gjinkallës, Geraldi mëson të vallëzojë dhe habit të gjitha kafshët e xhunglës. Ai jep një mesazh tek fëmijët e vegjël se nuk ka asgjë të keqe të jesh i ndryshëm dhe t’i bësh gjërat në mënyrën tënde. Secili prej nesh ka një talent që e bën unik, por duhet një shtysë nga familja ose shoqëria për të arritur tek gjërat e guximshme. Shfaqja që vjen këto ditë është pjesë e kalendarit artistik të Teatrit Kombëtar Eksperimental dhe shënoi premierën muaj më parë në skenë për publikun, por nuk mungoi dhe gjatë sezonit veror, ku përmendim këtu dhe ndalesën në qytetin e Sarandës. Giles Andreae është një shkrimtar dhe ilustrues britanik. Ai është i njohur si autor i “Gjirafat s’vallëzojnë dot”, si dhe i shumë librave të tjerë për fëmijë.