Hedhja në erë e 26 qytetarëve të pafajshëm në 15 mars të vitit 2008, shumica gra dhe fëmijë, plagosja e 300 të vjetërve, shkatërrimi i qindra shtëpive dhe i 400 pronave, kërcënimi i gjeneralëve për të mbyllur gojën dhe përdorimi i ministrave për biznesin familjar të Sali Berishës, është vetëm njëra anë, gjysmë e ndriçuar, e krimit më të rëndë shtetëror në dekadat e fundit. Zhdukja enigmatike e Kosta Trebickës, dëshmitarit kyç për Gërdecin, vijon edhe sot e kësaj dite të mjegullojë dhe errësojë me dyshime dhe pikëpyetje ngjarjen më të rëndë të pluralizmit shqiptar. Por, kush ishte i interesuar dhe çfarë interesash fshihen pas eliminimit të Kosta Trebickës 15 vite më parë? 15 vite nga shpërthimi i punishtes së vdekjes, gazeta “SOT” sjell detaje të reja rreth vdekjes së dyshimtë të Kosta Trebickës në 12 shtator të vitit 2008, njeriu që me dëshmitë e tij, mund të fundoste një zinxhir pushtetarësh dhe sekserësh, fillimi i të cilit zgjatej drejt familjes së Sali Berishës. Kosta Trebickës ishte i pari që denoncoi Sali Berishën dhe familjarët e tij në gazetën New York Times, ndërsa soli edhe gazetarin e Neë York Times në Gërdec. Artikulli për trafikun e armëve drejt vendeve në konflikt dhe Afganistanit u botua dy ditë pas shpërthimit. Ndërkaq, Kosta Trebicka ishte njeriu që denoncoi edhe të birin e Sali Berishës, Shkëlzen Berisha, si njeriu që drejtonte në prapaskenë biznesin familjar në Gërdec. Ministrat konsultonin me Shkëlzenin çdo urdhër, ndërsa baxhanaku i Berishës vepronte në punishte. Po ashtu, pasi u nxor nga loja për të mos mbajtur të fshehtë trafikun, Kosta Trebicka denoncoi trafikun e armëve me “lejen” e familjes. Armët, në letra, konsideroheshin si të demontuara nga Ministria e Mbrojtjes, por që në të vërtetë trafikoheshin drejt vendeve të Lindjes, të cilat ishin përshirë në konflikte luftarake, ndërsa ishin nën embargon e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kosta Trebicka ishte i besueshëm. Informacionet e tij ishin të sigurta dhe të detajuara, pasi kompania e tij bënte riambalazhimin e municioneve kineze, duke i paraqitur me etiketë tjetër. Por, Trebickës iu hoq ky shërbim, nga mundësia e dekonspirimit të trafikut që orkestrohej nga familja Berisha.
Roli i Agron Kuliçajt dhe ekspertit amerikan
Kosta Trebicka u zhduk në mënyrë misterioze, teksa kishte dalë për të gjuajtur shpendë. Edhe pse makina e tij po ecte me 10 km\h, Trebicka gjeti vdekjen në rrethana të dyshimta dhe misterioze. Në shtator 2008, Kosta Trebicka, pikërisht nën-kontraktues shqiptar i AYE, bëhet viktimë e një aksidenti misterioz me makinë. Ish-bodigardi i Sali Berishës, Agron Kuliçaj, është njeriu i parë që është gjendur në vendin ku humbi jetën Kosta Trebicka, nga organet ligjzbatuese të shtetit. Ish-zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, si dhe prokurori Sokol Stojani, arritën në vendngjarje rreth orës 15:20. Ndërkaq, trupi i pajetë i Kosta Trebickës ishte i shtrirë në një rrugë, mes një fushe të madhe me bar të thatë. Askush përveç këtij njeriu nuk e di të vërtetën e rrokullisjes së makinës së Kosta Trebickës. Roli i njeriut më të besuar të familjes Berisha, vijon të mbetet i dyshimtë sa i takon zhdukjes dhe manipulimit të pronave dhe në vendin e ngjarjes. Po ashtu rol të dyshimtë ka luajtur edhe eksperti amerikan Kevin Teter, i cili në raportin e tij, doli në përfundimin se Trebicka vdiq në një aksident të pastër automobilistik. Më pas, për mungesë dëshmitarësh, gjykimi i trafikut të armëve për çështjen e Gërdecit është braktisur nga drejtësia shqiptare.
Interesat dhe videoja e dyshimtë
Pas Gërdecit fshihej një luftë e interesave të shumëfishta midis ushtrisë shqiptare, qeverisë Berisha, qarqeve të huaja dhe ushtrisë amerikane. Qarqe të huaja ishin të interesuara për sabotimin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ndërsa Pentagoni u hakmor ndaj qeverisë shqiptare. Kjo e fundit kishte nënshkruar nje kontratë me një firmë të kontraktuar nga Pentagoni, e cila parashikonte që një arkë me 1 mijë fishekë të shitej me 25.5 USD. Por familja e rriti çmimin e arkës në 42 USD. Ndërkaq, e dyshimtë mbetet ekzistenca e një videoje të dy të huajve, të cilët paralajmëronin shpërthimin disa ditë para.
Ja reagimi i gazetarit amerikano-kanadez
Ndërkohë në shkurt të këtij viti, edhe gazetari i njohur amerikano-kanadez, Guy Lawson, libri i të cilit për shpërthimin e Gërdecit u bë edhe film në Hollywood, ka folur në mediat shqiptare për rihapjen e hetimeve mbi tragjedinë në fjalë, ku në vitin 2008 mbetën të vdekur 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë. Në një intervistë dhënë dje për disa, ai ka deklaruar se ka dyshime të forta që Shkëlzen Berisha ka qenë i përfshirë bashkë me Fatmir Mediun e zyrtarë të tjerë në këtë tragjedi. Madje shkaku që Shkëlzen Berisha e hodhi në gjyq ishte pikërisht ajo pjesë që sipas Lawson tregon se Shkëlzen Berisha ka qenë pjesë e takimit mes Diverolit dhe Delijorgjit, për të negociuar çmimin e fishekëve që ishte tejet i lartë, por kjo i takon SPAK ta vërtetojë, thotë ai. Më tej ai ka deklaruar se në Ministrinë e Mbrojtjes në atë kohë kanë qarkulluar me miliona lekë nga demontimi i fishekëve dhe ato u zhduken papritur, duke theksuar se kjo ndodhi për shkak të korrupsionit. Madje, gazetari i njohur amerikano-kanadez Guy Lawson ka zbuluar dhe skemën që ndiqej nga ministria e asaj kohe me shitjen lirë të fishekëve dhe tregtinë e tyre. Një tjetër çështje ku është ndalur gazetari është vrasja e Kosta Trebickës. “Mendoj se do të ishte shumë interesante të kishit zotin Efraim Diveroli, i cili ishte një nga çunat, një nga tregtarët e armëve, që ishte në Tiranë dhe që u regjistrua në telefonatë nga një zotëri i quajtur Kosta Trebicka, i cili më pas vdiq në rrethana shumë misterioze. Ka shumë rrethana që janë shumë të çuditshme. Ishte një aksident në mes të askundit, pasi u gjet trupi shumë larg makinës, kur e gjetën pa jetë. Shumë e kishin paralajmëruar dhe unë mendoj se shumë dyshime ka”, deklaronte gazetari i njohur amerikano-kanadez, Guy Lawson.