Premiera e filmit të restauruar “Mësonjëtorja” në Pallatin e Brigadave, 44 vite pas realizimit vjen me një cilësi më të lartë figure dhe zëri

0
80

Filmi “Mësonjëtorja” 44 vite pas realizimit të tij do të vijë për publikun me një cilësi më të lartë figure dhe zëri. Premiera e filmit të restauruar “Mësonjëtorja” do të jetë këtë mbrëmje në Pallatin e Brigadave. Filmi është një prodhim i vitit 1979, me regji të Muharrem Fejzos, skenar nga Natasha Lako dhe muzikë nga Limos Dizdari. Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit bën me dije se në Pallatin e Brigadave do të organizohet një event për përfundimin me sukses të projektit dhe për nderimin e artistëve, që punuan për realizimin e filmit. Sipas AQSHF-së filmi “Mësonjëtorja” u restaurua falë punës së përbashkët mes Harabel Contemporary Art Platform dhe donatorëve të tjerë. “Filmi “Mësonjëtorja” u restaurua falë punës së përbashkët mes Abi Bank, Harabel Contemporary Art Platform dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. Një partneritet që do të vazhdojë të punojë së bashku për restaurimin e trashëgimisë kombëtare filmike”, thuhet nga AQSHF në faqen e tij. Kur kanë kaluar më shumë se katër dekada nga realizimi i këtij prodhimi kinematografik, AQSHF pas restaurimit shprehet se është i dukshëm rezultati i punës, që është bërë me filmin “Mësonjëtorja”. “44 vite pas realizimit “Mësonjëtorja” vjen me cilësi të lartë figure dhe zëri. Në këtë klip paraqitet gjendja filmit para dhe pas restaurimit dhe është i dukshëm rezultati i bashkëpunëtorëve tanë të studios Quality Matters”, shprehet AQSHF në një klip të publikuar më parë.

Puna me filmin

Restaurimi i filmit “Mësonjëtorja” vjen në vijim dhe të tjerë filmave që janë restauruar më parë nga bashkëpunimet që ka pasur AQSHF. “Mësonjëtorja” një film shqiptar i prodhuar në Shqipëri në vitin 1979 me regji nga Muharrem Fejzo ka në role aktorët Roza Anagnosti, Guljelm Radoja, Robert Ndrenika, Ardian Cerga, Petrika Riza, Valentina Caci, Marko Bitraku, etj. Piktori mjeshtër Shyqyri Sako u nderua me medalion në festivalin e 4-rt të filmit shqiptar për punën e tij me dekoret e rekuizitat në filmin ¨Mësonjëtorja¨. Po sipas publikimeve nga AQSHF piktori i kostumeve Ilia Xhokaxhi (1948 – 2007) u nderua me medalion në festivalin e 4-rt të filmit shqiptar për punën e tij me kostumografinë në filmin ¨Mësonjëtorja¨. Në film, Dafina, një grua e shkolluar kthehet në qytet për të hapur shkollën e parë për vajzat. Ajo ndeshet me pengesat dhe intrigat e thurura nga kreu i Sanxhakut, i cili kërkon rrugë të ndryshme për ta nxjerrë Dafinën nga qyteti. Për të ndaluar përpjekjet e saj për ngritjen e shkollës kleri përpiqet të helmojë dhe ç’kishërojë Dafinën. Shkollën e djegin. Xhaxhai i saj Stefan Bardhi luftëtari Kajo dhe çifti që e strehon Dafinën e ndihmojnë atë. Regjisori i njohur Muharrem Fejzo u nda nga jetë në moshën 87-vjeçare në nëntor 2020. Përpara se të realizonte filmin e tij të parë, “Montatorja” (1970), Fejzo punoi si asistent regjisor në dy filma artistikë, “Prita” (1968) të Mithat Fagut dhe “Njësiti Guerril” (1969) të Hysen Hakanit. Gjatë karrierës së tij, regjisori Muharrem Fejzo realizoi mbi dhjetëra filma të tjerë, midis të cilëve mund të përmenden “Operacioni zjarri” (1973) dhe “Mësonjëtorja” (1979). Filmin e tij të fundit “Muri i gjallë”, Muharrem Fejzo e realizoi në vitin 1989.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here