Komedia “Certifikata e martesës” në skenën e teatrit të Korçës

0
72

Komedia “Certifikata e martesës” shkruar nga Ephraim Kishon me regji nga Driada Dervishi do të shfaqet këto mbrëmje shtatori në teatrin e Korçës. Për tre mbrëmje me radhë në datat 14, 15 dhe 16 shtator komedia “Certifikata e martesës” vjen për publikun në teatrin “Andon Zako Çajupi” me aktorët Gentian Zenelaj, Olta Daku, Vlera Pylla, Xhuliano Brisku, Mimoza Marjanaku dhe Amri Hasanlliu. Vepra është përkthyer nga Artur Lena, muzika Endri Sina, skenografia Kiço Çala dhe kostumografe Ermela Marku. Pas 30 vitesh bashkëjetesë, çifti Meleku kujtohen që nuk dinë ku është certifikata e martesës. A varet realisht martesa  nga një certifikatë? Dhe më e rëndësishmja, pas 30 vitesh a do të martoheshe sërish me burrin a gruan që ke? Autori Ephraim Kishon është quajtur satiristi i më i madh izraelit, me më shumë se 50 libra të përkthyer në 37 gjuhë me 43 milionë kopje. Libri i tij “Lezetet e familjes” i sjellë në shqip nga Robert Shvarc, thuhet se është libri më i shitur në hebraisht pas Biblës. Komedia vijon të shfaqet në Korçë, pas pjesëmarrjes në festivalin e komedisë “Koko Fest”, që u zhvillua po në këtë qytet. Festivali mbrëmjen e datës 9 shtator pati dhe shfaqjen e fundit në skenë. Komedia “Certifikata e martesës” vjen në skenën e teatrit të Korçës, por deri tani është shfaqur në skena të ndryshme. Driada Dervishi prej 20 vitesh regjisore, pas diplomimit me dramën “Babai” nga August Strindberg, kryen një specializim mbi teatrin bashkëkohor në Modena (Itali), i mbështetur nga Emilia Romagna Teatro me regjisorin Pippo Delbono. Fillon punë në vitin 2004 në teatrin profesionist “Aleksandër Moisiu”, ku ka realizuar vepra të ndryshme ndër vite, por nuk kanë munguar dhe bashkëpunimet me teatro të tjerë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here