SPAK ka nisur zyrtarisht hetimet për kullën më të lartë që do të ndërtohet në Tiranës, ku thuhet se fshihet dora e familjes “Berisha”. Partia Demokratike zyrtare dorëzoi më 8 gusht një padi duke i vënë në dispozicion drejtësisë të gjitha provat që kanë siguruar. Në dosjen që ndodhet në tavolinën e SPAK përmenden të gjithë personat e përfshirë në aferë, që nga leja, si është financuar, cila është kompania, cilat janë të ardhurat e kompanisë, funksionarët që dyshohet se janë përfshirë në korrupsion pasiv në procedurat për ndërtimin e kullës. Mësohet se ky kallëzim është depozituar për 3 vepra penale, shpërdorim detyre, pastrim parash dhe korrupsion. Në skanerin e SPAK janë lidhja e njërit prej ortakëve fitues në këtë projekt, Gerian Kukës, me Klodian Zoton në Inceneratorin e Fierit, si dhe akuzat për mashtrim me rimbursimin e TVSH-së, kanë qenë një nga pikat e hetimeve, ndërkohë që e gjithë historia e shpalljes së këtij ndërtimi nga institucionet që merren me Rregullimin e Territorit është një linjë tjetër hetimi. Në sajë të këtij procedimi pritet që të thirren edhe pronarët e trojeve pranë këtij ndërtimi, të cilët, sipas tyre, kanë tashmë edhe çështjen e humbjes së mundësisë për të zhvilluar pronën, për shkak të shmangies së ndërtimeve të tjera pranë “Malit të Tiranës”.
Çfarë përmban dosja?
SPAK po heton lidhjet që kanë përfitimet nga këto firma gjatë periudhës që ministër i Rindërtimit ka qenë ish zv.kryeministri Ahmetaj. Personi që rezulton pika lidhëse ka qenë biznesmeni Gerian Kuka. Sipas dosjes hetimore nga SPAK, ky i fundit rezulton nën hetim tek dosja e inceneratorëve për shkak të transaksioneve financiare për mbulimin e pasurive të Arben Ahmetaj dhe për transaksionet me kompaninë e inceneratorit të Fierit, në pronësi të Klodian Zotos, person në kërkim ndërkombëtar. Gjatë kësaj periudhe, përgjatë së cilës dhe Gerian Kuka është përfshirë në skemën e inceneratorëve, duke ndihmuar dhe lehtësuar fshehjen apo mbulimin e origjinës së pasurisë, ky i fundit, bashkë me Ilir Shtufi dhe Agim Zeqo kanë themeluar shoqërinë “Investment and Development Albania” sh.p.k. Referuar Aktit të Themelimit dhe Statutit të Shoqërisë, Agim Zeqo është zotërues i 40% të kuotave të kapitalit, kurse Ilir Shtufi dhe Gerian Kuka janë secili zotërues të 30% të kuotave të kapitalit të shoqërisë. Veprimtaria e shoqërisë, ndër të tjera, lidhet me kryerjen e veprimtarive tregtare dhe investimeve strategjike në fushën e turizmit dhe ndërtimit. Së fundmi, më datë 01.02.2023, me vendimin nr. 29/4, të Komitetit të Investimeve Strategjike është marrë vendimi “Për miratimin e statusit ‘Investim/Investitor strategjik procedurë e asistuar’ për projektin e investimit ‘Green House Korca Resort’, me subjekt ‘Investment and Development Albania’ NUIS L91703053C”, duke vendosur kështu shpërblimin e Gerian Kuka-s, i cili, sipas të dhënave dhe cilësimeve në media, ka shërbyer për pastrimin e parave dhe që së bashku, me shoqëritë në pronësi të Ilir Shtufi-t kanë ndihmuar jo vetëm në këtë proces, por edhe kanë përfituar të paktën nga 16 procedura prokurimi publik të lidhura drejtëpërdrejtë me Ministrinë që Arben Ahmetaj drejtonte, me vlera të përafërta me 100% të fondit limit”, thuhet në kallëzimin e PD. Pra nga të gjitha rrethanat, duke mbajtur në konsideratë veçanërisht, kapitalin fillestar të secilës prej shoqërive të sipërcituara, krijohet dyshimi se investimi, për të cilin me vendimin nr. 14, datë 08.03.2023, të Këshillit Kombëtar të Territorit “Për miratimin e lejes së ndërtimit për objektin ‘Godinë multifunksionale, shërbim, hoteleri, banim, 58 kate mbitokë dhe 7 kate nëntokë’, me vendndodhje në Rrugën e Barikadave, Bashkia Tiranë”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Nova Construction – 2012” sh.p.k., është vendosur miratimi i lejes së ndërtimit, do të kryhet dhe me burime që rrjedhin nga veprimtaria kriminale”, thuhet në kallëzimin e PD.
Leja e ndërtimit
Ndërkaq, nga hetimet mësohet se, padia e Partisë Demokratike e ka zanafillën me lejen e ndërtimit të kullës më të lartë në Shqipëri, “Mali i Tiranës”, e cila paraqet pikëpyetje për bilancet nga raportet e auditimit. Të dy ekspertët e pavarur që kanë analizuar në 3 vite të ndryshme të dhënat për “NOVA Construction 2012” zbulojnë se kompania ka patur probleme me transparencën me transaksionet e kompanive të lidhura me atë vet. Sipas hetimeve, PD ka ngritur dyshimet për mënyrën se si kjo kompani ka paguar taksën e ndërtimit, e cila kap vlerën prej 4 milionë eurosh. Në padi shkruhet se nga informacione të pakonfirmuara ka dyshime se pagesa e taksës të ndikimit në infrastrukturë është bërë nga palë të treta jashtë kompanisë, duke i kërkuar SPAK-ut të hetojë në lidhje me këtë çështje.