Qeveria e SHBA po përpiqet të ndalojë një ekspeditë të planifikuar për të rikuperuar objekte me interes historik nga Titaniku, duke përmendur një ligj federal dhe një marrëveshje ndërkombëtare që e trajton mbytjen e anijes si një varr të shenjtë.
Ekspedita po organizohet nga firma RMS Titanic me bazë në Gjeorgji, e cila zotëron të drejtat e shpëtimit të anijes më të famshme në botë. Kompania ekspozon artefakte që janë gjetur nga vendi i mbytjes në fund të Oqeanit Atlantik, nga enë argjendi deri te një pjesë e trupit të Titanikut.
Sfida e qeverisë vjen më shumë se dy muaj pas shpërthimit të nëndetëses “Titan” të Oceangate pranë rrënojave të Titankut, ku vdiqën pesë persona.
Beteja në Gjykatën e Qarkut të SHBA në Norfolk, Virxhinia, e cila mbikëqyr çështjet e shpëtimit të Titanikut, po zhvillohet në kuadër të një ligji federal dhe një pakt me Britaninë e Madhe për të trajtuar Titanikun e fundosur si një memorial për më shumë se 1500 njerëzit që vdiqën.
Ekspedita e RMST-së është planifikuar paraprakisht për maj 2024, sipas një raporti të paraqitur në gjykatë në qershor. Kompania tha se planifikon të marrë imazhe të të gjithë rrënojave.