Aktivistja e njohur, shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari ka komentuar debatin që po zien ditët e fundit në Greqi dhe Shqipëri për çështjen “Beleri”. Fredi Beleri, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës në procesin zgjedhor të 14 majit, pasi u arrestua si i dyshuar për “korrupsion në zgjedhje” do të vijojë të qëndrojë në qeli. GJKKO vendosi pak ditë më parë të rrëzojë kërkesën e radhës së Belerit për zbutjen e masës së sigurisë “arrest në burg”. Në mbrojte të zotit Beleri ka dalë Athina zyrtare, ndërsa në Shqipëri të vetmit që e përkrahin atë janë dyshja Meta-Berisha, për shkak se ai kandidoi për llogari të koalicionit të tyre “Bashkë-Fitojmë”. Por për këtë debat dhe disa çështje të tjera politike që kanë trazuar vendin tonë në këto ditë të nxehta gushti, ka reaguar në rrjetet sociale edhe aktivistja Kokalari, e cila zbardh skenarin e errët të ish-kryeministrit Sali Berisha. Në postimin e saj të cilin gazeta “SOT” do e pasqyrojë më poshtë të plotë, zonja Kokalari akuzon Berishën, madje edhe Metën se zgjodhën Fredi Belerin për të filluar një konflikt me Greqinë. Ndërkohë ajo thekson se brenda “Foltores” ka plasur një sherr i madh, teksa tregon se çfarë po planifikon kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Ja postimi i plotë i aktivistes Evi Kokalari
Çështja “Beleri” dhe roli i Berishës
I dashur z. Berisha! Atë që ju nuk po ja thoni Ervelinos në këtë letërpërgjigje, është fakti se ju vetë, së bashku me Ilir Metën, si kandidatë zgjodhët -me vetëdije të plotë – një figurë anti-Shqiptare, që është gjendur në mes të konflikteve me Greqinë dhe më parë. E zgjodhët pikërisht për të provokuar Greqinë dhe për të filluar një konflikt që ndoshta është në favorin tuaj politikisht, por që kërcënon në mënyrë absolute marrëdhëniet diplomatike të Shqipërisë me një shtet që mban dhe ushqen një pjesë të madhe të emigranteve tanë. Procesin e primareve e anashkaluat, sepse ne kishim kandidatë të tjerë, pjesë e minoritet Grek, me një të shkuar të pastër që mund të na prezantonte denjësisht, por interesi juaj ishte pikërisht një njëri me të shkuar kriminale, që do shkaktonte zhurmë dhe konflikt duke prekur interesat shqiptare dhe ato greke në të njëjtën kohë.
Meta dhe lëvizte e tij për të shkatërruar “Foltoren”
Ky skenar është po aq dinak sa vetë politika juaj e dy viteve të fundit dhe po aq finok sa tentativa e Ilir Metës për të marrë PD. Fatkeqësisht ju keni, siç bëni shpesh, nënvlerësuar inteligjencën e Shqiptarëve. Momentalisht juve ju janë kthyer demokratët e rithemelimit, sepse asnjë nuk mund të ndjehet mirë me një njëri si Bejleri. Interesant është fakti që keni filluar të flisni sërish për protesta, por për çfarë do protestoni ju Z. Berisha? Zgjedhjet i humbe (a i shite). Foltoren e shkatërrove. Atëherë çfarë kërkoni akoma? Kur të erdhëm në krahë, ta bëmë të ditur – ky ishte shansi yt i fundit. Ja, kjo ka qenë përgjigja ime sa herë më thonin “Berisha është i korruptuar.” Por në këtë moshë që jeni, mendova se ishe i vetmi që mund të bëje diçka realisht për atë Shqipëri duke patur parasysh se ke 32 vjet në politikë. Ti nuk na zhgënjeve. Ti na gënjeve! Të njëjtën gjë po bën dhe me Bejlerin. Ti dhe Meta keni futur në kurth Greqinë zyrtare dhe po e përdorni kundër Ramës. Jo se do na shtohet ndonjëherë simpatia për Ramen, por ky është debat më vete. Në fakt, kam dyshimet e mia se nga i merr Mitsotakis informacionet e brendshme të këtij konflikti. Ndoshta ka ardhur koha që ti shpjegojmë siç duhet këtyre të Greqisë se kush e vuri Bejleri në atë garë dhe pse.
Zgjidhja
Greqia dhe Shqipëria duhet të zgjidhin këtë konflikt sa më shpejt dhe Bejlerin duhet ta zëvendësojmë me një kandidatë të denjë, të zgjedhur nga PD zyrtare, sepse këdo që të vënë këta të Bashës, më anti-shqiptarë se Bejleri nuk mund të jetë kurrë. E për më tepër, kandidati fitues do ngelet nën logo e PD-së zyrtare të cilës ti duhej t’i ishe bashkuar për zgjedhjet e 14 Majit, dhe jo të LSI-së.













































