Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit mbylli sezonin artistik janar-qershor të këtij viti me 83 vepra në skenë për publikun. Gjatë këtyre muajve në skenën e TKOB një pjesë e tyre kanë qenë premiera, si dhe të tjerat që janë sjellë për publikun gjatë këtij sezoni artistik janë vepra të rivëna. Kjo bëhet me dije nga drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit Abigeila Voshtina, që shprehet në rrjete sociale se nga veprat që janë vënë në skenë gjatë këtij sezoni artistik, 36 prej tyre janë sjellë për herë të parë në vendin tonë. “TKOB përmes statistikave! Përgjatë sezonit artistik janar-qershor 2023, 83 vepra të shquara janë vënë në skenë për artdashës shqiptarë dhe të huaj, ndër to 36 premiera, të sjella për herë të parë në Shqipëri dhe 47 vepra të rivëna”, shprehet drejtoresha Voshtina në rrjete sociale. Në dhjetor të vitit 2022, drejtoresha e përgjithshme e TKOBAP Abigeila Voshtina gjatë prezantimit të kalendarit artistik për këtë vit u shpreh se përmban një program me synim rritjen e cilësisë artistike. Drejtoresha e përgjithshme Voshtina u shpreh gjithashtu se teatri i bashkohet dhe institucioneve të tjerë në botë në shpalljen e vitit 2023 si “viti Verdian”, ku nuk do të mungonin dhe kryeveprat e këtij autori. “Është përpiluar një program i pasur intensiv dhe ambicioz me synim sigurimin e rritjes së cilësisë artistike. Në përkujtim të veprës së mjeshtrit të madh të muzikës klasike, kompozitorit Giuseppe Verdi, me rastin e 210-vjetorit të vdekjes, TKOB i bashkohet teatrove të tjerë përreth globit në shpalljen e 2023-it “viti Verdian””, u shpreh Voshtina.
Vepra në skenë
Vepra shqiptare dhe të huaja janë pjesë e kalendarit artistik të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit gjatë vitit 2023. Gjatë sezonit artistik janar-qershor këtë vit përmendim kryeveprën e baletit klasik “Don Quixote” bazuar në romanin e famshëm satirik me të njëjtin titull të Miguel de Cervantes. Sipas TKOB-së pas më shumë se 2 dekadash u soll mjeshtërisht në skenën madhështore premiera e baletit “Don Quixote”. Baleti “Zhizel” vepër me dy akte me muzikë nga Adolphe Adam erdhi gjithashtu në skenë, ku TKOB shprehej se është një nga baletet më të bukura. Opereta “Karnavalet” ishte në skenë këtë sezon për publikun. Vepra është punuar sipas motiveve të komedisë së mirënjohur të Spiro Çomorës “Karnavalet e Korçës”. Vepra “Karnavalet” me muzikë të Avni Mulës dhe libret të Luigj Gurakuqit, u soll në skenë me regji nga Inva Mula. Baleti modern kontemporan “Muzg” me koreografi nga Eno Peçi që ndërthur natyrshëm lëvizjet trupore me përjetimet emocionale të njeriut gjithashtu ishte premierë në TKOB. Hera e fundit kur “Aida” është ngjitur në skenën e TKOBAP ka qenë viti 2007, por këtë sezon artistik vepra e Xhuzepe Verdit ishte në skenë për publikun. Një vepër e përmasave të mëdha që erdhi nga orkestra simfonike, solistët, kori dhe trupa e baletit. Ndër veprat e tjera që kanë ardhur në skenë përmendim dhe operën “Flauti magjik” të Moxartit, që me melodinë e saj të jashtëzakonshme për 3 ditë radhazi u shfaq në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Vepra e Moxartit bëri bashkë artistë të TKOB-së, si dhe studentë të arteve.