Libri “Alarm i kuq”, një histori tronditëse për korrupsionin, politikën e pistë dhe vrasjet në Rusi, shkruar nga një prej njerëzve më të kërkuar të Putinit

0
128

Libri “Alarm i kuq” i autorit Bill Browder vjen nga botimet “Morava”. Një histori tronditëse e shkruar nga një prej njerëzve më të kërkuar të Putinit, që vjen në shqip për lexuesit. Historia e Bill Browder-it filloi në Moskë, ku ai themeloi dhe drejtoi fondin më të madh të investimeve në Rusi pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Hermitage Capital Management, por kur filloi t’i ekspozojë njërin pas tjetrit oligarkët e korruptuar që po grabitnin kompanitë në të cilat ai investonte, Vladimir Putini iu kthye kundër dhe, në vitin 2005, e dëboi nga Rusia. Në vitin 2007, një grup oficerësh ligjzbatues rusë bastisën zyrat e Browder-it në Moskë, si dhe vodhën 230 milionë dollarë taksa që kompanitë e fondit të tij i kishin paguar qeverisë ruse. Avokati i Browder-it, Sergei Magnitski, e hetoi këtë çështje dhe zbuloi një krim të përmasave të mëdha. Një muaj pasi Sergei dëshmoi kundër zyrtarëve të përfshirë në këtë krim, ai u arrestua dhe u dërgua në paraburgim, ku u torturua për një vit. Më 16 nëntor të vitit 2009, e dërguan në një dhomë izolimi, e prangosën pas një shtrati dhe e rrahën për vdekje tetë roje të armatosura. Kjo ngjarje e ndryshoi përgjithmonë jetën e Browder-it, qëllimi i vetëm i të cilit u bë dënimi i fajtorëve që shkaktuan vdekjen e Magnitskit dhe ekspozimi i skemave të grabitjes që shkonin deri te Putini. Një histori thuajse e pabesueshme që të lë pa frymë. Ndoshta “historitë ruse kurrë nuk kanë fund të lumtur”,  por rrëfimi i Browder-it i demaskon ashpër banditët e Putinit-KIRKUS REVIEW. Libri “Alarm i kuq” nga Bill Browder nga shtëpia botuese “Morava” është përkthyer në shqip nga Maniela Sota.

Pjesë nga libri

Në fund, Putini e humbi kontrollin. Uli zërin, rrudhi ballin dhe tha: -Magnitski nuk vdiq nga torturat – ai nuk u torturua. Ai vdiq nga një atak në zemër. Ashtu siç e dini të gjithë, ai ishte avokati i zotit Brauder, i cili dyshohet nga organet tona ligjzbatuese për krime ekonomike në Rusi. Ndjeva një sëmbim në zemër. E dija që, nga çasti kur buzët e holla të Putinit do të shqiptonin emrin tim, jeta ime do të ndryshonte përgjithmonë. Në të kaluarën, Putini kishte refuzuar me vendosmëri ta përmendte emrin tim. Ishte pyetur publikisht dy herë nga gazetarët dhe gjithmonë më ishte referuar si “ai individi”. Ai nuk denjonte asnjëherë t’u përmendte emrat armiqve të tij. Por, jo më tani. Kur dëgjova Putinin të shqiptonte emrin tim, u rrëqetha dhe u përgatita për çfarëdolloj gjëje që mund të ndodhte më pas. Duhet ta marr në konsideratë faktin se ekziston mundësia që Putini ose anëtarët e regjimit të tij të më vrasin një ditë. Si kushdo tjetër, as unë nuk dua të vdes dhe nuk kam ndërmend t’i lë të më vrasin. Nuk mund të përmend shumicën e masave që kam marrë, por do të përmend njërën prej tyre: këtë libër. Nëse vritem, do ta dini se kush e ka bërë. Kur armiqtë e mi ta lexojnë këtë libër, do ta kuptojnë që ju e dini.

Autori i librit

Bill Browder-i ka lindur në vitin 1964 në Çikago. Është diplomuar për Ekonomi në Universitetin e Çikagos, si dhe ka kryer studimet master për Administrim Biznesi në Universitetin e Stanfordit. Ai është themeluesi dhe drejtori i përgjithshëm i fondit Hermitage Capital Management. Ka qenë investitori më i madh i huaj në Rusi deri në vitin 2005. Që në vitin 2009, kur avokati i tij, Sergei Magnitski, u vra në burg pasi zbuloi një mashtrim prej 230 milionë dollarësh, të kryer nga zyrtarë të qeverisë ruse, Browder-i ka udhëhequr një fushatë për të ekspozuar korrupsionin dhe abuzimet me të drejtat e njeriut në Rusi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here