“Open Cinema” në sezonin e shtatë vjen me filmat, muzikën, të ftuar personalitete të kinemasë shqiptare, etj. Këtë herë është Gjirokastra në festën e bukur të filmit në “Open Cinema”, në datat 21-22-23 korrik. Sipas producentit dhe kineastit Skënder Jaçe, “Open Cinema” në Gjirokastër do të vijojë me filma që janë financuar nga Qendra Kombëtare Kinematografike dhe realizuar nga të rinj, por nuk mungojë dhe prodhime të kinemasë që mbajnë emrin e regjisorëve të njohur shqiptarë. “Në Gjirokastër do të shfaqen filmat e realizuar vitet e fundit me regji nga studentët, që janë financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, do të shfaqet dhe një paketë me filma vizatimorë me autorë shqiptarë. Po këto mbrëmje që do të zhvillohet “Open Cinema” do të shfaqet dhe filmi “Përrallë nga e kaluara” version i restauruar, si dhe filmi me regji nga Saimir Kumbaro “Koncert në vitin 1936” version i restauruar. Këto net do të jetë edhe një retrospektivë kushtuar regjisorit Dhimitër Anagnosti”, tregon kineasti Skënder Jaçe. Ndër filmat që studentët kanë regjinë dhe do të shfaqen në Gjirokastër këto net të “Open Cinema” përmendim filmin “Vrasja e qenve”, “Helena” apo dhe “Mbjellja e pemëve”. Në filma janë në role aktorë si Gëzim Rudi, Alfred Trebicka, Luiza Xhuvani, Kastriot Çaushi, etj. Në këto mbrëmje nuk do të mungojë dhe retrospektiva “Gjirokastra dje dhe sot”. Kjo retrospektivë do të shfaqë se si u ndërtua Gjirokastra pas çlirimit, objektet social- kulturore, restaurimi i kalasë, etj, por dhe Festivali Folklorik Kombëtar. Aktiviteti “Open Cinema” zhvillohet me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Nisi këtë vit nga qyteti i Sarandës dhe në program janë dhjetë qytete ku do të zhvillohet.
Dy filmat e njohur
“Përrallë nga e kaluara” është një film i prodhuar në Shqipëri në vitin 1987. Skenari i këtij filmi është i bazuar në novelën me të njëjtin titull të Andon Zako Çajupit. Regjia dhe skenari Dhimitër Anagnosti, muzika Limos Dizdari. Në role përmendim aktorë të njohur si Elvira Diamantin, Admir Sorra, Robert Ndrenika, Hajrie Rondo, Xhevdet Feri, Mimika Luca, Xhemil Tagani, etj. Filmi “Koncert në vitin 1936” është prodhim i vitit 1978. Filmi, që tregon historinë e dy interpretueseve, të cilat vizitojnë qytetet e vogla provinciale të Shqipërisë së vitit 1936. Më regji nga Saimir Kumbaro, skenari është shkruar nga Kiço Blushi, kompozitor Limos Dizdari. Në role përmendim Manushaqe Qinami, Margarita Xhepa, Robert Ndrenika, Bep Shiroka, Roland Trebicka, Gjon Karma, Albert Verria, Mirush Kabashi, etj. Të dy filmat që do të shfaqen në netët e aktivitetit “Open Cinema” në Gjirokastër më parë i janë nënshtruar një procesi restaurimi, ku Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit i ka shfaqur edhe si premiera të restauruara.


































