Komedia “Nata e dymbëdhjetë” e Shekspirit do të shënojë premierën në skenën e teatrit të Korçës. Kryevepra e Shekspirit do të jetë në skenë me regji nga Dimitris Milonas. Kjo komedi, e cilësuar si nga veprat më të mira të Shekspirit, ngjarjet e së cilës zhvillohen në Iliri, sjell në role një kast aktorësh të njohur për publikun. Në rol në vepër është dhe aktori Xhuliano Brisku, që e kemi parë në shfaqje të ndryshme që janë vënë në skenat tona, por në komedinë e Shekspirit vjen si mbreti Orsino. Ai tregon se prej disa javësh po punojnë me këtë vepër teatrore ku sundon dashuria, që do të jetë në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” në mbrëmjet e datave 15 dhe 16 korrik. “Komedia ““Nata e dymbëdhjetë” po vihet me trupën e Korçës edhe jam i lumtur, që jam pjesë e kësaj shfaqje kaq të madhe me aktorë të njohur si Luiza Xhuvani, Guri Koço, Genti, Silvio e shumë të tjerë. Për rreth 1 muaj e gjysëm kemi punuar këtë vepër, që sundon dashuria”, tregon ai. Aktori Xhuliano Brisku thotë se është hera e dytë që ai bashkëpunon me një shfaqje teatrore me teatrin e Korçës. Por tregon se komedia “Nata e dymbëdhjetë” është nga ato shfaqje, që një herë në jetë mund ta luash. “Eksperiencë shumë e bukur ka qenë edhe me regjisorin Dimitri Milonas, i cili sjell një shfaqje ndryshe, jo shumë klasike, po herë- herë groteske nga ato që regjisori kërkon. Kjo është hera e dytë që unë jam pjesë e një shfaqje, por këtë herë është e veçantë, pasi është një nga ato veprat që veç një herë në jetë mund ta luash”, tregon aktori.
Puna me shfajqen
Komedia “Nata e dymbëdhjetë” prodhim i teatrit të Korçës është në vijim të aktivitetit artistik të këtij institucioni. Por aktori Xhuliano Brisku, ndërsa tregon për personazhin e tij thotë se për publikun do të vijë një shfaqje me energji. “Roli im është ai i mbretit Orsino, dashnorit ëndërrimtar për atë çka ndjen për Olivan, një personazh i cili tek ai sundon dashuria. Regjisori e ka trajtuar shumë ndryshe nga ajo që kemi parë, e çuar në një dimension krejt tjetër Dukë e Ilirisë. Këto janë ditët e fundit të punës dhe ne presim të sjellim një shfaqje me energji, karaktere të bukura dhe histori siç vetëm Shekspiri mund të bëjë”, tregon aktori. Në rolet e veprës janë Luiza Xhuvani, Guri Koço, Gent Hazizi, Zamira Kita, Dasara Xhangolli, Kristian Koroveshi, Paola Kodra, Xhuliano Brisku, Silvio Giskova, Juxhin Plovishi, Franc Bregu, Ergis Dervishi, Marius Hajdaraj, Gabriela Ahmeti, Roxhers Nexhipi, Dhionis Vitollari, Fludea Harizi. Skenografia Beqo Nanaj, koreografia Gjergj Prevazi, kostumografia Olta Bello dhe muzika Fatos Qerimaj. Vepra është përkthyer nga Vedat Kokona. Ashtu si shumë komedi të tjera të Shekspirit, edhe kjo komedi përqendrohet mbi identitetin e rremë. Në skenat hyrëse, personazhi kryesor, Viola, shpëton nga mbytja për shkak të fundosjes së anijes dhe del në bregdetin e Ilirisë. Ajo humbet lidhjet me vëllanë e saj binjak, Sebastianin, të cilin e mendon tashmë të vdekur. Duke u maskuar si një eunuk i ri me emrin Cezario, me ndihmën e kapitenit të anijes që e shpëtoi, hyn si shërbyes i dukës Orsini. Shekspiri konsiderohet si shkrimtari më i shkëlqyer i gjuhës angleze, në mënyrë absolute, një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Ai ka qenë komediograf, dramaturg, por edhe aktor.












































