Google search engine
Home Kulture Ekspozita “Paris-Amsterdam” me punime në pikturë, Arben Golemi: Janë peizazhe nga arkitektura...

Ekspozita “Paris-Amsterdam” me punime në pikturë, Arben Golemi: Janë peizazhe nga arkitektura e dy qyteteve

0
143

Arkitektura e Parisit dhe Amsterdamit vjen në pikturë. Ekspozita “Paris-Amsterdam” do të hapet me punime të piktorit Arben Golemi. Për ekspozitën që do të hapet më datë 17 korrik, piktori i njohur Arben Golemi thotë se Parisi dhe Amsterdami janë dy qytete të dashur për atë. Ai thotë se aty gjen ambientin që e frymëzon për të pikturuar. “Parisi dhe Amsterdami janë dy qytete shumë të dashur për mua dhe jo vetëm kaq, por janë qytete ku gjen fushën tënde për të pikturuar, ambientin tënd. Dy qytete me një traditë. Janë ata, që shto dhe Italinë kanë bërë pikturën botërore, padyshim dhe vendet e tjera si Gjermania, etj. Por Holanda ka piktorë të famshëm”, thotë piktori Arben Golemi. Sipas tij Parisi dhe Amsterdami janë edhe dy qytete që kanë vlera arkitektonike. Piktori  tregon se sjell në pikturë elementët me karakteristike. “Në këtë mes ka dhe një të përbashkët, që janë qytete që mund ti pikturosh bukur, kanë klimën e pikturës. Është si puna e Beratit, shko atje dhe pikturo. Një atmosferë që e bën pikturën, ka peizazhin, ka ikonat, etj. Si Parisi dhe Amsterdami kanë vlera arkitektonike.  Janë peizazhe në pikturë të marrë nga arkitektura e Parisit dhe Amsterdamit. Unë në Paris zgjedh barokun dhe zonën gotike, ku bën pjesë Katedralja e Shën Mërisë, etj. Në ekspozitë janë dhe peizazhet e Luvrit, kurse në Amsterdam kam zgjedhur një nga elementët më karakteristike, që janë kanalet dhe janë pjesa e sipërme e shtëpive”, tregon piktori Arben Golemi.

Aktiviteti artistik

Piktori tregon se në këtë ekspozitë në “Golemi Art Gallery” janë punime që ekspozohen për herë të parë në galeri për artdashësit. Njëzet punët në pikturë në ekspozitë sipas tij janë një përzgjedhje nga 50 veprat që ai ka bërë. “E gjithë ekspozita është në format 70 me 100, që është dhe formati normal i letrës, teknika vaj në letër”, tregon piktori Arben Golemi. Ekspozita personale me piktura “Paris-Amsterdam” vjen pas asaj me titull “Trees and the city”, që u hap në muajin janar me punimet e tij. Në vijim të aktivitetit të tij, piktori Arben Golemi tregon se muajt e verës i ka të pikturës. “Unë korrik, qershor dhe një pjesë të gushti i kam muaj produktiv pikture, më pas nis pushimet. Në shtator vazhdoj si gjithmonë me një nga qytetet që e kam parë më pak, në këtë rast kam një rrugë që do të jetë midis Venecias, Firences dhe  Milanos. Kur them pushime nënkuptoj vetëm për pikturën. Shtatorin e kam këtë radhë me rilindjen italiane dhe me gjithë pjesën tjetër të arkitekturës së Venecias”, tregon piktori. Në aktivitetin e tij Arben Golemi është cilësuar si një nga piktorët e rëndësishëm të artit modern shqiptar. Kultura e gjerë artistike, udhëtimet e shumta në Evropë, Japoni, SHBA, vizitat në muzetë botërore dhe kontakti me krijimtarinë e mjeshtrave klasikë dhe modernë bashkëkohorë ndikuan fuqishëm tek artisti në orientimin e tij drejt një arti modern, dekorativ, ku mbizotërojnë imazhe nga arkitektura dhe natyra. Ekspozita me piktura “Paris-Amsterdam”, që do të hapet së shpejti në “Golemi Art Gallery” në Tiranë është e dyta personale këtë vit e piktorit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here