Publikimi i emrit të ish-presidentit të Republikës Ilir Metaj si pjesë e strukturave të Sigurimit të Shtetit vuri në lëvizje Autoritetin e Dosjeve që të thellonte hetimet për ata politikanë që kanë kaluar “testin” nga komisionet “Mezini” dhe Bezhani. Autoriteti i Dosjeve ka ngritur së fundmi një grup pune, i cili ka futur në “sitë” dokumentacionin arkivor të këtyre komisioneve. Në raportin që disponon gazeta “SOT”, të dhënat tregojnë se asokohe, dy komisionet “Mezini” dhe “Bezhani”, punuan me dy standarde, duke nxjerrë shumë politikanë e zyrtarë spiunë me dosje të pastër dhe që nuk kanë pasur lidhje me ish-sigurimin, njëri prej të cilëve thuhet se është ish-presidenti Meta, i cili nga këta komisione doli i pastër. Në rrjetën e Autoritetit të Dosjeve gjatë vitit 2017-2022 kanë rënë 77 zyrtarë të lartë, ku 51 zyrtarë falsifikuan dosjen e spiunit në Komisionet Bezhani-Mezini, të cilët rezultojnë të lidhur me ish-Sigurimin e Shtetit. Me ndryshimet ligjore ata do të dalin përfundimisht jashtë sistemit.
Zbardhet raporti
“Fondi arkivor i shqyrtuar përgjatë periudhës 1996-2001 përbëhet nga 274 dosje dhe 24.034 fletë. Komisioni Mezini e ka filluar punën me kërkesat e para në 27 mars 1996 me rastin e zgjedhjeve parlamentare. Përgjatë kohës së funksionimit të tij, në fokus ka qenë verifikimi i figurave të organit ligjvënës, Kuvendit. Gjithsej, në dy zgjedhjet parlamentare dhe një lokale të viteve 1996 dhe 1997, kanë marrë pjesë71 subjekte politike. Ndërkaq, ky komision ka marrë vendime për 4.964 kandidatë,duke vendosur konfirmim për 4.563 kandidatë dhe përjashtim nga kandidimi të 399 kandidatëve, ose 7 % e numrit total rezultoi me probleme të pastërtisë. Nga 399 e kandidatëve të përjashtuar nga kandidimi, 45 kanë paraqitur ankimim në Gjykatën e Kasacionit, nga këto në 37 raste Gjykata e Kasacionit ka lënë në fuqi vendimin e komisionit”, thuhet në raport.
Skandalet e komisioneve Mezini dhe Bezhani
Gjithashtu Autoriteti i Dosjeve thotë se grupi i punës ka identifikuar të paktën 40 raste, me vendime kontradiktore nga komisionet Mezini dhe Bezhani. :Në komisionin Mezini, grupi i punës ka identifikuar të paktën 40 raste, me vendime kontradiktore që u përkasin subjekteve të ndryshme politike të zgjedhjeve të vitit1996 dhe 1997. Nga këto 40 raste, 21 kandidatë rezultuan me ndalesë për të kandiduar, ndërsa 19 prej tyre u lejuan të kandidojnë, edhe pse duket se figuronin me të njëjtat probleme me pastërtinë e figurës. Komisioni Bezhani e zhvilloi veprimtarinë e tij nga viti 1998 deri në fund të vitit 2001 duke shqyrtuar pastërtinë e figurës për 3.759 zyrtarë të lartë. Ky komision, ndryshe nga ai paraardhës, kishte në fokus të punës së tij kontrollin e figurës së funksionarëve të administratës shtetërore. Për 278 zyrtarë ose 7% e numrit të përgjithshëm, për të cilët rezultonte se ka të dhëna për ta në dokumentet e ish Sigurimit, për të paktën 104 prej tyre, pra për 3% më pak të numrit, komisioni Bezhani ka vendosur të japë certifikatën e pastërtisë së figurës duke i konsideruar kandidatët si persona që nuk janë në kushtet e pengesës ligjore për të vijuar me emërimin në detyrë”, zbulon Autoriteti i Dosjeve.
Lehtësirat që krijuan komisionet Mezini dhe Bezhani
Gjithashtu në raport thuhet se këto dy komisione lehtësuan barrierat për ndalimin e kandidimit në Kuvend apo Pushtet lokal, si dhe emërimit në detyra të larta shtetërore dhe institucione të pavarura të zyrtarëve të gjetur me të dhëna. “Nga analiza vihet re se përgjatë periudhës së funksionimit të dy komisioneve ligji i kontrollit dhe verifikimit të figurave ka pësuar ndryshime, duke lehtësuar barrierat për ndalimin e kandidimit në Kuvend apo Pushtet lokal, si dhe emërimit në detyra të larta shtetërore dhe institucione të pavarura të zyrtarëve të gjetur me të dhëna. Të gjitha vendimet e komisioneve nuk janë shoqëruar me argumentim sipas dispozitave përkatëse të ligjit nr. 8043, por vetëm konfirmohet në se kandidatët janë ose jo në kushtet e ndalimit të neneve 1 dhe 2 të ligjit. Kështu si rezultat i ndryshimeve ligjore, në maj të vitit 1997, të cilat ngushtonin rrethin e pozicioneve dhe cilësive që konsideroheshin kusht pengues, Komisioni Mezini ka marrë disa vendime të kundërta me ato të një viti më parë, duke i lejuar kandidatët të vijojnë me kandidimin, ndërkohë që një vit më parë të njëjtët kandidatë ishin në kushtet e pengesës ligjore sipas nenit 2 të ligjit. Ndryshime ligjore vijuan edhe në janarin e vitit 1998, kohë kur Komisioni Bezhani kishte vetëm 4 muaj që funksiononte dhe vepruan deri në dhjetor të vitit 2001 kur ligji me vendim të Kuvendit u abrogua”, thuhet në raport.
Spiunë në krye të institucioneve dhe politikës
Në raport janë zbuluar dhe skandalet e dy komisioneve. Sipas Autoritetit të Dosjeve, gjatë vitit 2017-2022 ka zbuluar se 55 zyrtarë të lartë ishin verifikuar më parë nga komisionet Mezini-Bezhani, kështu që për ta, Autoriteti nuk mund të kryente verifikim kur ishte dhënë certifikata e pastërtisë. “Të dy komisionet kanë raportuar në mënyrë periodike për gjetjet e tyre, si edhe kanë informuar institucionet kërkuese për rezultatet e verifikimit dhe gjetjet. Ndërkaq, Autoriteti, përgjatë viteve 2017-2022, ka verifikuar 2.399 zyrtarë lidhur me pastërtinë e figurës së tyre përpara emërimit/ngritjes në detyrë. Nga verifikimet, 77 zyrtarë,ose 3.2 % e numrit total kanë rezultuar me të dhëna në emër të tyre, në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit. Nga numri i përgjithshëm i zyrtarëve të verifikuar nga Autoriteti, 55 prej tyre ishin verifikuar më parë nga komisionet Mezini-Bezhani, kështu që për ta, Autoriteti nuk mund të kryente verifikim kur ishte dhënë certifikata e pastërtisë. Por ndër to, në 9 raste të konstatuara përmes proceseve paralele, ose 16.3% e tyre, u gjetën rastësisht të dhëna që e lidhnin figurën e zyrtarit me strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit”, zbulon Autoriteti i Dosjeve.
Shkëputja nga e kaluara
Në fund të raportit, Autoriteti i Dosjeve përmes ndryshimeve ligjore ka propozuar detyrimin që çdo funksionar i lartë të plotësojë formularin e vet-deklarimit dhe kjo do të garantojë një shkëputje morale të plotë me të shkuarën. “Tashmë me rënien e mburojës ligjore, Autoriteti ushtron kompetencën e tij edhe për ato raste kur është dhënë çertifikata e pastërtisë së figurës nga komisionet e mëparshme. Por për të disiplinuar procesin dhe në kuadër të transparencës së mëtejshme, AIDSSH përmes ndryshimeve ligjore ka propozuar detyrimin që çdo funksionar i lartë të plotësojë formularin e vet-deklarimit, ndryshime të cilat janë tashmë në kalendarin e punës së legjislatorit. Kjo do të garantonte një shkëputje morale të plotë me të shkuarën”, përfundon raporti.










































