Google search engine
Home Kulture Shfaqja “Xhoni dhe Xhoi” vjen premierë

Shfaqja “Xhoni dhe Xhoi” vjen premierë

0
127

Veprat teatrore që janë realizuar me Fondin e Teatrit për të Rinj po shfaqen në skenën e teatrove në Tiranë, por dhe në rrethe. Për publikun vjen dhe premiera “Xhoni dhe Xhoi”, që do të jetë në festivalin “Vjosa ime”, por në muajin shtator shfaqet në skenën e teatrit Metropol në Tiranë.  “Vjosa ime”, një event dy ditor 8-9 korrik në Tepelenë do të për përfshijë zhanre të ndryshme; art, turizëm, muzikë, letërsi, teatër, pikturë, muzikë. Në kalanë e Ali Pashë Tepelenës do të shfaqet premiera teatrore “ Xhoni & Xhoi”, që do të çelë këtë event dy ditor. “Xhoni dhe Xhoi” është një reflektim mbi ndarjen e botës midis atyre që kanë dhe atyre që dëshirojnë. Protagonistët janë dy shpirtra të varfër që ne i shohim gjithmonë të ulur në një tavolinë kafeje, me problemin e përhershëm se si të paguajnë pijet e tyre derisa, në historinë e tyre, hyn një biletë lotarie. “Xhoni dhe Xhoi, dy protagonistët e shfaqjes janë të burgosur në një “vend”, një bar surreal me tavolina dhe karrige në natyrë. Ata bien në konflikt për zotërimin e një lotarie të fituar. Mes dialogëve absurdë dhe paradokseve përpiqen të arrijnë fundin dhe të kapërcejnë gjendjen e tyre të pasigurt. Personazhet dhe situatat mbivendosen dhe ndërthuren  aq shumë sa të krijojnë një realitet, që ndryshon vazhdimisht. Të qënurit një dhe dy në të njëjtën kohë shkakton një surprizë që mund të kufizohet me zhgënjim dhe madje të bëhet sindromë, atë të “personalitetit të alternuar”. Ato mishërojnë dy mundësi të dallueshme në kuptimin ekzistencial”, thuhet në materialin e teatrit rreth shfaqjes. Në role janë aktorë Ana Guçe, Anxhelo Daut dhe Endrit Ahmetaj. Përkthyes i veprës Alket Cani. Skenografi dhe kostumografi Klea Lila, promocion Aliona Pogaj. Vepra e autores Agota Christoph me regji nga Endrit Ahmetaj që është produksion i Fondit të Teatrit për të Rinj 2023, në datat 14, 15 dhe 16 shtator do të jetë në skenën e Metropolit.

Fondi këtë vit

Fondi me një buxhet 10 milionë lekë të reja nga Ministria e Kulturës është ndarë për projektet, që po zhvillohen në skenën teatrore gjatë këtij viti. Projektet teatrore përfituese nga ky fond  realizohen nën kujdesin e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në bashkëpunim me teatrot e rretheve. Mes 37 aplikimeve bordi artistik i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” zgjodhi 10 projekte fituese, ku artistët e rinj kanë propozuar 5 pjesë të dramaturgjisë shqiptare dhe 5 të dramaturgjisë së huaj. Më herët në thirrjen për aplikime në Teatrin Eksperimental thuhej se përmes “Fondit të teatrit për të rinj” synohet dhe gjallërimi dhe lëvizja teatrore në rang vendi. I gjithë ky proces do të sjellë dhe festivalin “Hapat” në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, ku do të ndahen edhe çmimet e më të mirëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here