Sokol Marsi: Koncertet e Ansamblit Popullor këtë sezon me një program artistik me pjesët më të mira të folklorit nga trevat e ndryshme

0
157

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore këtë sezon veror do të zhvillojë koncerte të ndryshme, që do të vijnë për publikun me një program të pasur artistik. Ansambli Popullor disa ditë më parë e çeli sezonin turistik me një repertor unik, me kolazhe muzikore dhe valle kombëtare në Sarandë. Turistë vendas dhe të huaj ndoqën interpretimet e artistëve, të cilët lartësojnë vlerat e traditës shqiptare, anekënd vendit. Sokol Marsi, që është dhe drejtor artistik i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve thotë se gjatë këtij sezoni veror pas koncertit në Sarandë janë planifikuar dhe 4 koncerte të tjera. Drejtori i artistik shprehet se koncertet janë pjesë e kalendarit turistik kombëtar, që është hartuar këtë vit. “Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore është pjesë e kalendarit TEA (Tourism Events of Albania), që është bërë me disa institucione të tjera. Turi artistik i ansamblit nisi në Sarandë që u bë koncerti i parë, por janë dhe 4 koncerte të tjera. Ansambli do të zhvillojë koncert në datën 8 gusht në Krujë, në datën 10 gusht do të jetë në Velipojë , vijon në datën 14 gusht në qytetin e Durrësit dhe në 18 gusht do të jetë në Shëngjin. Ne pasi mbaruam programin që kishim me Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës do të vijojmë sërish në muajin gusht me koncertet e tjera”, tregon Sokol Marsi drejtor artistik i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore ( AKKP). Për koncertet që do të zhvillohen gjatë këtij sezoni veror është përgatitur një program me pjesët më të mira. Sipas Sokol Marsit do të jetë një program atraktiv për pushuesit këtë sezon vere. “Do të jetë një program artistik siç e kemi në traditë me pjesët më të mira të folklorit nga trevat e ndryshme. Do jetë një program atraktiv për pushuesit, për vendasit dhe të huaj që janë gjatë këtij sezoni veror në vendin tonë”, thotë Sokol Marsi drejtori artistik.

Trupa e Ansamblit Popullor në koncertet e verës

Ansambli Kombëtar i Këngëve e Valleve Popullore  është krijuar në vitin 1957 si ansambël profesionist. Ky ansambël përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori. Drejtori Sokol Marsi shprehet se në këto koncerte do të ketë pjesëmarrje të të gjithë trupës artistike. “Janë koncerte, ku do të alternohen solistët e Ansamblit Popullor, grupi i valleve, orkestra dhe grupi vokal. Në këtë tur artistik do të jetë një pjesëmarrje e gjithë trupës artistike së Ansamblit Popullor”, shprehet drejtori artistik. Pak ditë më parë artistët e Ansamblit Popullor ishin në Gjirokastër, ku për 8 net me radhë u zhvillua në kala Festivali Folklorik Kombëtar. Në mbyllje të edicionit të XI të këtij festivali ishte Ansambli Popullor i Shqipërisë dhe Ansambli “Shota” i Kosovës me një kolazh këngësh e vallesh shqiptare. Folklori shqiptar shquhet për origjinalitetin, lashtësinë dhe shumëllojshmërinë e gjinive artistike. Zonat e shumta etnografike kanë veçantitë e veta në këngët, vallet, kostumet, ritet e zakonet. Qëllimi i ansamblit së është në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë. Këtu përfshihen pasuritë e mëdha folklorike vokale, instrumentale, koreografike dhe kostumografike, që variojnë nga zona në zonë, duke krijuar një koloritet motivesh.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here