“Pirro dhe Antigona” një film i shkurtër historik mbështetur në legjendën e Antigoneas

0
88

“Pirro dhe Antigona” është një film i shkurtër historik,  që ka qëllim edhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore. Filmi vjen me regji dhe skenar nga Suela Bako, mbështetur në tregimin me të njëjtin titull nga Lindita Komani. “Pirro dhe Antigona” mbështetur në legjendën e Antigoneas do ta ketë premierën më 5 korrik në mbrëmje në Amfiteatrin e Tiranës, si film përshëndetës në edicionin e dytë të Travel International film Festival. Më 4 korrik filmi do të shfaqet si film përshëndetës edhe në Dropull International Film Festival, që zhvillohet në Gjirokastër. Dy aktorë bien në gjurmë të legjendës së Antigoneas, dhe në kërkim mes dy epokave, lashtësisë dhe ditëve të sotme, përjetojnë çastet kur qyteti merr emrin e Antigonës, gruas së Pirros, mbretit të Epirit. Në role janë Romir Zalla, Suela Bako, Memet Asllanaj, Sigur Asllanaj, Mejsi Asllanaj, Njala Asllanaj, Marsida Asllanaj. Regjisorja Suela Bako tregon për punën që është bërë me filmin, që gjithçka nis një ditë pranvere, ku Lindita Komani e thërret për t’u takuar në lidhje me një projekt. “Më tregoi se kishte shkruar një tregim “Pirro dhe Antigona” të mbështetur në legjendën e Antigoneas mbi historinë e atij qyteti të lashtë Epirot. Lindita më tregoi se organizata RCDC Qendra për Zhvillim dhe Bashkëpunim Rajonal, në kuadër të projektit Smartimoni i mbështetur nga IPA CBC Grece Albania, donin që këtë tregim (histori) ta bënin në formën e një filmi, dokumentar apo artistik. Më ngacmoi shumë ideja”, shprehet regjisorja Bako.

Realizimi i filmit

 Filmi “Pirro dhe Antigona” në pak kohë u arrit që të realizohej. Regjisorja Suela Bako tregon se një film epoke është ëndrra e çdo krijuesi. “Një film për Pirron dhe Antigonën, për një si unë me origjinë të atyre viseve është vërtetë një ngjarje e bukur. U riktheva tek Lindita sapo mbarova projektin që kisha në dorë, dhe i hyra punës me kokë. Kishim shumë pak kohë, pasi projekti duhej dorëzuar brenda 10 ditëshit të parë të Qershorit. Shkruajta skenarin në krye të javës, skenari u prit mirë e më pas kalova direkt në paraprodhim dhe prodhim”, tregon ajo. Skenariste, regjisore, por në film Suela Bako vjen dhe vetë me rol. Ajo tregon se puna me filmin i ka dhënë kënaqësi, por është përmbajtur tek një grup i ngushtë bashkëpunëtorësh, për të qenë sa më efiçentë. “Mendova të jem pjesë e kastit dhe Pirro të jetë Romir Zalla, ishte një zgjidhje produktive, por dhe që më dha shumë kënaqësi, edhe pse të jesh brenda dhe jashtë një produkti audiovizual është shumë sfiduese”, thotë ajo. Fotografinë, montazhi dhe postproduksionin Suela Bako tregon se i ndau me një bashkëpunëtor të vjetër, Adrian Guri. “Rikthehem në një projekt me të pas disa muajsh, që kam realizuar një dokumentar”, tregon regjisorja. Filmi “Pirro dhe Antigona” vjen premierë, por regjisorja Suela Bako tregon se legjenda e Antigoneas dhe historia e atij qyteti meritojnë shumë më tepër dhe do t’i rikthehej një tjetër projekti më ambicioz me kënaqësi. “Për kohën e shkurtër që kishin në dispozicion filmi ka dalë një punë dinjitoze dhe qëllimin e tij kryesor për të promovuar trashëgiminë tonë kulturore, turizmin dhe vlerat njerëzore që kulmojnë me dashurinë dhe përkushtimin, ja ka dalë. Filmi “Pirro dhe Antigona” u realizua për efekt web-i dhe do të jetë shumë shpejt on line, në faqen e dedikuar të projektit Smartmoni. Por, unë dhe bashkëpunëtorët tanë, besuam se ai premton më shumë se kaq dhe për këtë arsye filmi do të shfaqet si film përshëndetës në Travel Film Fest, që do të zhvillohet në Tiranë (Amfiteatrin e Liqenit) Gjirokastër e Durrës. “Pirro dhe Antigona” shfaqet ditën e mërkurë, në 5 korrik ora rreth orës 20:30”, tregon ajo. Sipas regjisores Suela Bako filmi u nis si një doku fiction, e për ndonjë mund të jetë dhe i tillë, por konflikti mes karaktereve e bën të jetë dhe një film i shkurtër historik. Ajo tregon se filmi është konceptuar si një kërkim dhe beson se publiku do gjejë veten në këtë kërkim për të njohur nga afër dy personazhe historik të jashtëzakonshëm si Pirro, mbret i Epirit dhe Antigona, në një pjesë të ngushtë të jetës së tyre dhe të lulëzimit të mbretërisë së Epirit. Fotografia, montazhi, ngjyrat, poster, Adrian Guri, audio Moris Rama. Filmi është financuar nga programi Interreg IPA CBC Greece Albania në kuadër të projektit Smartimony, zbatuar në Shqipëri nga Qendra për Bashkëpunim dhe Zhvillim Rajonal (RCDC Albania).

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here