Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës po vazhdon me një program të pasur për folklorin dhe traditën e vendit tonë. Në skenën e tij në kala grupet e ndryshme artistike po përcjellin vlerat e folklorit. Në skenë sot vijnë grupet e qarkut Gjirokastër, arbëreshët, grupi valleve “Rozafat” SHBA, grupi “Lotë Kurbeti” Greqi. Një natë më parë që ishte e gjashta e festivalit në skenë ishin grupet artistike nga qarku i Elbasanit, si dhe grupet “Bashkimi” dhe “Rapsodët e Gjenevës” nga Zvicra, ansambli “Lura” nga Londra, grupi “Gjergj Kastrioti” nga SHBA dhe grupi “Lotë Kurbeti” Greqi. Gjatë këtyre ditëve në skenën e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës u ngjitën dhe grupet folklorike të qarkut të Shkodrës. Motivet që u përcollën shprehnin diversitetin kulturor të zonave të ndryshme etnografike, ku grupet sollën epikën, lirikën, këngë dashurie apo koreografi dhe lashtësi, si ritet pagane të Ditës së Verës nga grupi i Pukës. Në festival erdhën dhe grupet artistike të qarkut të Fierit. Programi i pasur me serenatat korçare dhe dasmat krutane si elementë të veçantë të folklorit ishin pjesë e interpretimeve të folkloristëve të Korçës, Durrësit dhe Krujës ishte në natën e katërt. Folklori i pasur dibran nga baladat e mitet, meloditë e këngët e pashtershme nën simbolikën e vatrës së besës dhe bujarisë për të vijuar me vallen ritmike të Rugovës dhe duke u përmbyllur me muzikën e bukur tironse me elementë dinamikë ishte nata e tretë e Festivalit Folklorik Kombëtar Gjirokastër. Nata e dytë e festivalit solli në skenë këngët lezhiane që shënojnë ritualet jetësore si lindja, dashuria, vajtimi, thirrmat deri tek iso-polifonia labe dhe më pas programi i pasur artistik i Malit të Zi, 410 interpretues folkloristë u ngjitën në skenën e gurtë të Festivalit Folklorik Kombëtar. 210 bartës të folklorit u ngjitën në skenën e Festivalit Folklorik Kombëtar në natën e parë të tij. Siparin e çeli qarku i Kukësit, për të vijuar më pas interpretuesit e Maqedonisë së Veriut dhe për ta përmbyllur qarku i Beratit. Festivali që nisi më 24 qershor do të vijojë deri më 1 korrik me koncerte në kala, por dhe aktivitete të tjera në qendrën historike.









































