Ekspozita “Piktura bizantine në Shqipëri”, që u hap në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë prezanton 13 ikona. Pjesë e ekspozitës së përkohshme dhe që ekspozohet për herë të parë sipas muzeut është edhe ikona “Ngritja në qiell” (Shestja), pikturuar nga atelieja e vëllezërve Zografi, nga Korça, për manastirin e Shën Pjetrit dhe Pavlit në Vithkuq, Korçë. MKAM shprehet në faqen e tij se kjo skenë është e pasur me simbolizëm të cilat, janë përshkruar në Ungjijtë e Lukës dhe Markut. “Në pjesën e sipërme të ikonës shfaqet një mandorla blu të cilën e mbajnë dy engjëj. Në mes të mandorlës shfaqet Krishti i ulur në një fron qiellor dhe në këmbët e tij shfaqen kerubinët. Poshtë Krishtit në një pozicion gjysmë-profil shfaqet Shën Mëria në mes të dishepujve. Pas saj shfaqen dy engjëj, të cilët me njërën dorë tregojnë lart Krishtin. Tipar dallues i veprave ikonografike të K. & A. Zografi, janë skenat e tyre masive dhe dinamike. Mali i ullinjve në të cilin ndodh ngjarja paraqitet me bimësi të pasur dhe të harlisur. Paraqitja e pemëve të ullirit përbënte një element ikonografik themelor, duke e vënë në dukje këtë simbol të paqes e cila shënon shpresë për një jetë të re”, thuhet në përshkrimin e veprës nga muzeu. Ekspozita, që u hap pak ditë më parë vazhdon në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë. MKAM shkruante më parë se në pamjen e parë 13 ikonat nuk kanë dallim nga njëra-tjetra, kjo për shkak të rregullave e rrepta dhe të pandryshueshme ende sot të artit bizantin, por njohja e skenave biblike dhe interpretimi i tyre individual sipas artistit, zhvillimi dhe trajtimi i tyre i bën ato të ndryshme dhe mjaft interesante. Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë, u përurua më 24 Prill 1980. Ai është një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë e më gjerë. Fondi i tij ka objekte kulti e arti, kryesisht ikona e më pak punime guri, druri, metali e tekstili të krijuara nga mesjeta e hershme deri në fillim të shek. XX prej artistësh anonimë e të mirënjohur, nga treva të ndryshme të vendit.











































