Filmi “Larg barbarëve” me regji nga Liri Begeja shfaqet këtë mbrëmje në ekranin e kinemasë për publikun. Në kuadër të aktivitetit Java Kulturore e Francës, Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit organizojnë shfaqjen e filmit francez “Larg barbarëve/ Loin des barbares” me regji nga Liri Begeja. Filmi është prodhim i vitit 1994 dhe shfaqet në kinema Millennium, Tiranë. Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit që bëri më herët me dije shfaqjen e këtij prodhimi kinematografik në kinema thotë se këtë mbrëmje do të jetë i pranishëm dhe aktori i njohur Timo Flloko. “Një film i vlerësuar nga kritika europiane, produksion i përbashkët Francë, Itali, Belgjikë, i vitit 1994, në të cilin luan aktorja franceze Dominique Blanc, në rolin e heroinës së filmit, Ronald Gutman si dhe aktorë shqiptarë në role kryesorë si Timo Flloko, Sulejman Pitarka, Piro Mani, dhe në role të tjerë, Luiza Xhuvani, Ndriçim Xhepa, Xhevdet Feri, Anisa Markarjan, Lec Shllaku, Fitim Makashi, Sesilia Plasari, etj”, thuhet nga AQSHF në faqen e tij. Liri Begeja fillon veprimtarinë regjisoriale në mesin e viteve `80-të. Fillimisht ka qenë stazhiere dhe asistente regjisore për shumë filma gjatë tre vjetëve duke bashkëpunuar me Patrice Chereau, Diana Kyrys, Christian Challonge, Chantal Akerman etj. Shpesh temat e filmave të saj janë të lidhura me vendin e origjinës. Filmi i parë i saj si regjisore ishte “Paris Paparazzi”. Me vonë realizoi për serinë televizive të stacionit FR3 filmin “Konfrontimi”. “Prilli i thyer” ka qenë i nominuar si vepër e parë për çmimin “Ceasers” për vitin 1988 dhe nderuar me çmim të madh të publikut në Festivalin e Lokarnos, seleksionuar në Festivalin Telluride, Detroit 1991, nderuar me çmim të madh në Itali. “Larg barbarëve” është nderuar me çmim “Neguib Mafouz” në Festivalin e Kajros 1994, pjesëmarrës në Festivalin e San Franciscos dhe vendosur në fondin e përhershëm të videotekës së Parisit.
Java kulturore
Java Kulturore Franceze zhvillohet në vendin tonë prej datës19 deri më 28 qershor me një program të kuruar të muzikës, kulturës dhe spektaklit. Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet në rrjete sociale se në qytete të ndryshme në Shqipëri do të ketë koncerte e shfaqje të filmit, si dhe argëtim pa fund. “Takohemi në eventet e kësaj jave dhe shfletoni programin për më shumë informacion”, shprehet Margariti në rrjete sociale për Javën Kulturore të Francës që nis sot në vendin tonë. Java Kulturore e Francës zhvillohet në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare në vendin tonë. JKN është një nismë e Ministrisë së Kulturës që sjell në Shqipëri tingujt, imazhet, aromat dhe shijet e vendeve të ndryshme të botës. Pas një programi të suksesshëm përgjatë vitit 2022, ky program po vijon edhe në vitin 2023. Edicioni i dytë i JKN nisi në muajin maj dhe përfundon më datë 30 nëntor 2023. Programi i këtij viti nis me BE, 16-22 maj, vazhdoi me artistët nga Greqia, nga data 23-29 maj, etj.








































