Arian Sukniqi: Është në dinjitetin e një kombi, që kulturën e vet kombëtare ta ruajë dhe promovojë me të gjitha mundësitë

0
103

Muzikali “Rituali i jetës” pas më shumë se një dekade u kthye në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Një vepër nga koreografi Arian Sukniqi, që bëri bashkë në skenë rreth 100 artistë. Gjama, dashuria dhe lindja në skenë për të na prezantuar me ritualin e jetës, ku muzikali erdhi në skenë për publikun me një konceptim, duke iu përshtatur kohës nga koreografi i njohur Arian Sukniqi. Vepra me muzikë nga Klodian Qafoku dhe me koreografi nga Sukniqi u interpretua në skenë nga trupa e baletit e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, si dhe Ansambli Popullor. “Rituali i jetës” u mirëprit nga publiku, por koreografi Arian Sukniqi thotë se në skenat tona duhet të ketë më shumë vepra shqiptare. “Është në dinjitetin e një kombi që kulturën e vet kombëtare ta ruajë dhe promovojë me të gjithë mundësitë. Sa më shumë vepra kombëtare të ketë, në vetvete ato përbëjnë një edukacion për brezin e ri, për të parë se nga e ka prejardhjen dhe një kontribut shumë i madh për trashëgiminë e tyre për ta transmetuar brez pas brezi”, thotë koreografi. Veprat shqiptare në skenat tona nuk duhet të mungojnë janë shprehur herë pas here artistë të ndryshëm më parë. Koreografi i njohur Arian Sukniqi thotë se veprat shqiptare kanë rëndësi në skenë, por shton se shfaqje si “Rituali i jetës” nuk është kollaj që ti ndërtosh. “Nuk është kollaj që të ndërtosh vepra të tilla shqiptare, sepse ato duhet të jenë në harmoni ose të ngrenë një draft, është një lodhje ekstreme për të ndërtuar në këto kohë vepra shqiptare”, thotë koreografi Arian Sukniqi.

Muzikali në skenë

Vepra “Rituali i jetës” u shfaq në qershor të vitit 2011 në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe u rikthye në 2023 në skenë sigurisht me frymë të re dhe konceptim përshtatur kohës. Koreografi Arian Sukniqi tregon se edhe vite më parë vepra u mirëprit nga publiku, duke kërkuar që të rikthehej në skenë. “Unë në “Ritualin e jetës” kisha pritshmërinë time, por ishte jashtë çdo pritshmërie pasi pamë një entuziazëm të jashtëzakonshëm dhe është një nga shfaqjet pasaportë shqiptare trashëgimisë së vet kulturore. Edhe vite përpara ka qenë në këto përmasa, por atëherë u dha tre net dhe ishin biletat të shitura, madje shumë njerëz shkruanin pas shfaqjes që nuk e kishin parë se kur do të jepet sërish”, tregon koreografi. Sipas koreografit Arian Sukniqi veprat shqiptare janë gjithmonë të suksesshme, sepse njerëzve në këtë kohë iu pëlqen të shohin një dramë shqipe, të dëgjojnë një koncert të traditës, të shohin në skenë një balet apo dhe një opera shqiptare.  Muzikali “Rituali i jetës” që erdhi para disa netësh në skenë është i frymëzuar nga lënda folklorike muzikore e Shqipërisë së Veriut. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit më herët bënte me dije se “Rituali i jetës” sjell risi në llojin e vet. Muzikali erdhi në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në vijim dhe të shfaqjeve të tjera, që janë shfaqur më parë gjatë këtij sezoni artistik.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here