Një komedi, që buron nga situata të njëpasnjëshme nga e enjtja në të enjte këtë mbrëmje do të shfaqet në skenën teatrore në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë. Produksion i teatrit “Skampa” në qytetin e Elbasanit do të vijë mbrëmjet e datave 14 dhe 15 qershor në skenën e Teatrit Eksperimental komedia “Nga e enjtja në të enjte”. Vepër e autorit të njohur italian Aldo De Benedetti me regji nga Milto Kutali. Në rolet e komedisë janë aktorë të njohur të teatrit. Rolet në komedinë “Nga e enjtja në të enjte” që më parë shënoi premierën në teatrin “Skampa” regjisori i njohur Milto Kutali ia ka besuar aktorëve Alfred Trebicka, Ilirda Bejleri, Egla Ceno, Marsias Lila, Klajdi Malellari dhe Flobensa Bezati. Regjisori i njohur Milto Kutali vjen me këtë vepër të autorit Aldo De Benedetti për publikun në vijim të aktivitetit të tij me teatrin. Nën regjinë e tij nuk kanë munguar drama dhe komedi të ndryshme, që janë shfaqur për publikun jo vetëm në skenën e Tiranës, por dhe në skenat e teatrove në rrethe e më gjerë. Këtë herë me regjinë e tij në teatrin “Skampa” erdhi dhe komedia premierë “Nga e enjtja në të enjte”. Më herët rreth kësaj vepre regjisori Kutali ka pohuar se në sirtarin e tij kjo vepër ka shumë vite që qëndronte. Regjisori Milto Kutali ka realizuar projekte teatrore në disa teatro shqiptare, më të shumtët në skenën e Akademisë së Arteve, me Teatrin Kombëtar, në Tetarin Shqiptar të Shkupit, në teatro të Kosovës.
Ngjarjet në komedi
Komedia që do të jetë në skenën teatrore është me skenografi nga Beqo Nanaj dhe është përkthyer nga Ilir Alliu. E enjte në mbrëmje. Adriana dhe Paolo kthehen nga kinemaja. Ajo është e pushtuar e tëra nga intriga e filmit. E mbetur vetëm Adriana inskenon gjithë çfarë i ka mbetur në mendje nga aventura e protagonistes së filmit. Por vjen Paolo, i cili ndërsa sheh llampën pushtohet nga dyshimet dhe pajton një ndjekës privat që do të regjistroj gjithçka do të bëj e shoqja nga e enjtja në të enjten tjetër. Por a ja vlen të ndjekësh gruan? Ndodhi absurde, por edhe shumë poetike provokohen më pas. “Ejani të shijoni një komedi të ngarkuar me humor të begatë që buron nga situatat e njëpasnjëshme nga e enjtja në të enjte”, thuhet nga Teatri Eksperimental. Në skenën e teatrit të Elbasanit komedia “Nga e enjtja në të enjte” e autorit Aldo De Benedetti, me regji të Milto Kutalit mori duartrokitje nga publiku që e ndoqi. Por këtë mbrëmje dhe nesër do të jetë publiku në Tiranë që do të shohë “Nga e enjtja në të enjte” me regji nga Kutali nën interpretimin e artistëve të njohur të teatrit tonë. Aldo De Benedetti ishte një skenarist italian. Ai shkroi për më shumë se 110 filma midis viteve 1920 dhe 1958. Ai lindi dhe vdiq në Romë, Itali. Komeditë e tij u botuan në vëllime nga Edizioni del Borghese të redaktuar nga Achille Fiocco dhe Alberto Perrini.