Google search engine
Home Sociale Partizani gjen dhe prezanton trajnerin e ri, është kroati Zoran Zekiç

Partizani gjen dhe prezanton trajnerin e ri, është kroati Zoran Zekiç

0
148

Ajo që pritej të ndodhte me Partizanin, sikurse edhe ishte paralajmëruar në një farë mase, ndodhi pikërisht me hyrjen e kësaj jave. Partizani lëvizi në treg, fillimisht duke kompletuar stafin. Trajner të ri por edhe drejtor të ri sportiv. E gjitha kjo vjen në një moment kur klubi pati reflektimet e tij pas një sezoni të gjatë dhe kur u nda zyrtarisht me tekniku italian Xhiovani Kolela. Duhet thënë se investimet e mëdha të Partizanit në infrastrukturë, me ndërtimin e kompleksit të ri që është vënë në funksion, por edhe me vëmendjen tek akademia e të rinjve, pa harruar investimin e fuqishëm të Gaz Demit për të pasur një skuadër kompetitive, kanë çuar në një Partizan që tani është sërish elitë e futbollit në Shqipëri dhe me ambicie akoma më të mëdha.

Ardhja e trajnerit të ri

Ditën e djeshme, edhe zyrtarisht klubi ka njoftuar se Partizani ka gjetur trajnerin e ri! Zoran Zekiç do të marrë drejtimin e “të kuqve” të kryeqytetit për sezonin 2023-2024. Në një publikim në faqen zyrtare, Presidenti i Partizanit Gaz Demi dhe drejtori sportiv Arbër Abilaliaj kanë prezantuar kroatin si drejtuesin e ri të stolit të kampionëve të Shqipërisë. “FK Partizani zyrtarizon arritjen e marrëveshjes me trajnerin Zoran Zekiç. 49 vjeçari nga Kroacia, i cili do të drejtoj kampionët e Shqipërisë në sezonin e ri 2023-2024, është prezantuar sot nga presidenti Gazment Demi dhe drejtori sportiv Arbër Abilaliaj. Në sezonin e fundit Zekiç ishte pjesë e ekipit Slaven Belupo, ndërsa përgjatë karrierës si trajner ai regjistron edhe eksperienca në drejtimin e Sherif Tiraspol, Osijek, Diosgjor dhe Maksimir. Zekiç vjen në drejtimin e 17-të herë kampionëve të Shqipërisë për të nisur një projekt ambicioz dhe fitues. Sot skuadra nis zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri futbollistik”, shkruan Partizani.

Abilaliaj drejtori i ri sportiv i “demave të kuq”

Pas largimit të Elton Marinit nga ky post, ashtu siç ishte paralajmëruar, ai i është besuar Arbër Abilaliajt. Ish-futbollisti vlonjat, njeh mirë klubin e kuq, pasi gjatë karrierës së tij në fushën e lojës ka qene pjesë edhe e kryeqytetasve. Ai përflitej prej kohësh se ka qenë personi i cili ka bërë negociatat me Zekiç, i ndihmuar edhe nga Adrian Aliaj i cili do të jetë një nga emrat që do të bëjë më të thjeshtë afrimin e futbollistëve te kryeqytetasit. Shtrëngimi i duarve mes Demit dhe Abilaliajt ka qenë pjesë e fotove të prezantimit me Zekiç, duke zyrtarizuar kështu edhe punën e drejtorit të ri sportiv, i cili pritet të vihet në lëvizje në këto ditë për të siguruar afrimet e nevojshme për të përforcuar ekipin para pjesëmarrjes në Kupat e Europës.

Përforcime para ndeshjeve në Champions

Pas pak ditësh do të hidhet shorti në Ligën e Kampioneve, për fazën parakualifikuese, ku të kuqtë do të mësojnë emrin e kundërshtarit me të cilin do të përballen. Natyrisht që objektivat e klubit janë për të kaluar një ose dy raunde, në varësi të shortit, por para se të shkohet tek ndeshjet, trajneri i ri së bashku me drejtorin sportiv do të bëjnë lëvizjet e tyre në treg. Partizani ka nevojë për një sulmues cilësor, por edhe për dy-tre lojtarë që bëjnë diferencë, sidomos një organizator që do ta drejtonte si duhet grupin në fushë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here