Azilkërkuesit që nuk kanë shanse për t’u pranuar këtej e tutje do të verifikohen e do të kthehen që në kufi. Rregullat e BE-së për azilin do të vlejnë vetëm për një numër të vogël azikërkuesish.
Gjatë gjithë ditës të enjten (07.06.2023) 27 ministrat e brendshëm të vendeve të BE-së diskutuan në Luksemburg për të arritur miratimin e reformës së zgjeruar të procedurës së azilit që është përgatitur prej viteshsi dhe për migracionin e kontrolluar. “Ka dritë në fund të tunelit”, tha një i deleguar gjatë bisedimeve që zgjatën rreth 12 orë. Presidentja suedeze e Këshillit Maria Malmer Stenergard e ndërpreu tri herë mbledhjen dhe pas qendrimeve refuzuese të delegacioneve teksti i marrëveshjes u ndryshua disa herë.
Më në fund shtetet më të mëdha të BE-së si Gjermania dhe Italia ranë dakord, por jo vendet më të vogla. Vendimi në fund u mor me shumicë të kualifikuar nga vendet që përfaqësojnë 65 përqind të popullsisë së BE-së dhe jo njëzëri. Kundër votuan Polonia dhe Hungaria, që vazhdojnë të refuzojnë rregullat e një politike të përbashkët migracioni në BE.
Të pranosh azilkërkues ose të paguash
Ministrja e Brendshme nacionalkonservatore e Polonisë, Mariusz Kaminski p.sh. deklaroi, se Polonia nuk do të paguajë zhdëmtim në një fond të BE-së për azilkëkruesit e refuzuar. Ky zhdëmtim, 20.000 euro për azilkërkues, është i nevojshëm sipas rregullave të reja të solidaritetit, në rast se një vend nuk pranon aq azilkërkues, sa do të duhej të ishte e përballueshme nisur nga numri i popullsisë që ka.
Ekspertja e migracionit Helena Hahn nga Think Tank “European Policy Centre” shpreh dyshim, nëse ky sistem i ri do të ketë sukses: “Ne e pamë në fund, se marrëveshja has në rezistencën e disa vendeve anëtare si Polonia. Këto vende thonë, se kostot janë shumë të larta. Ndaj pritet që të ketë më shumë opozitë ndaj marrëveshjes.”








































