Përveçse është rikthyer skenës politike, ish- kryedemokrati Lulzim Basha ka vendosur të japë mesazhe të forta për ish- kryeministrin Sali Berisha. Në një takim dje me të rinjtë në Vlorë siç edhe e ka theksuar më herët, Basha nuk shfaqi pendesë për largimin e Berishës nga partia edhe pse kjo shkaktoi përçarjen e madhe të selisë blu. “Natyrisht përgjigjja e shkurtë është jo, nuk jam bërë pishman. Nuk jam bërë pishman sepse vendimin nuk e kam marrë i nisur as nga interesi im, as nga interesi i një grupi të ngushtë. E kam marrë nisur nga interesi i demokratëve. Shiko, mua nuk do të më dëgjoni kurrë të bëjë bardh e zi. Bardh e zi është varfëri mendore dhe varfëri shpirtërore. Nuk do të më dëgjoni kurrë të lëpij atë që kam pështyrë. As të shkel mbi atë që kam ecur, me bindjen se ka qenë rruga e drejt. Maksimumi mund të pendohem, siç jam penduar për jo pak gjëra dhe të kërkoj ndjesë siç kam kërkuar ndjesë, por duhet të kërkoj edhe më shumë, por jo të rivizatojë të kaluarën nisur nga interesat e të sotmes apo të nesërmes, këtë nuk kam për ta bërë kurrë”, deklaroi ai.
Basha: Retorika e revolucionit paqësor ka qenë shterpë
Ndërkohë, pasi bëri të qartë që nuk pendohej që përjashtoi Berishën, pasi ky i fundit u shpall “non grata” nga grupi parlamentar i PD-së, Basha ‘skanoi’ edhe Berishën politikisht. Sipas tij, retorika e ‘revolucionit paqësor’ ka qenë shterpë, pasi Rama vijon ende të jetë në pushtet. “Ku jemi sot? Ku e kemi sot revolucionin që do e rrëzonte për 6 muaj Edi Ramën? Ku e kemi sot retorikën gjithë inflacion të shitjes së zgjedhjeve? Sepse derisa mora atë vendim, kjo retorikë nuk ekzistonte. Shpifjet dhe balta që hidhen sot ndaj meje, është e njëjta që hidhte Edi Rama kundër meje. Po tani ku jemi? Jemi më mirë apo më keq? Pse jemi më keq? Sepse vendosi interesin e vet personal mbi interesat e demokratëve. Nuk është kurrë vonë për të hedhur hapin e duhur. Dhe sot hapi i duhur është të reflektosh dhe në rastin e tij të reflektojë dhe të tërhiqet. Kurrë nuk është vonë. Për të ruajtur atë vlerësim për aspektet pozitive të lidershipit të tij, por për të mos e thelluar edhe më tej zullumin, dëmin që i ka bërë demokratëve me pjesë të errëta që janë shfaqur në veçanti gjatë këtyre muajve, gjatë këtij një vit e gjysmë”, u shpreh ai.
Rikthimi në politik
Nga ana tjetër, zoti Lulzim Basha, një mesazh e pati edhe për ata që e kanë kritikuar për rikthimin e tij në politikë. Duke e bashkëngjitur veten me ta, Basha e cilësoi veten si figurë të re politike, të cilën politika e vjetër nuk e lë të depërtojë. Ndërsa ironizimin ndaj tij të forcave politike si nga mazhoranca, ashtu edhe nga opozita por edhe në një farë mënyre heshtjes së demokratëve të PD-së zyrtare për ta pasur atë kryetar të Partisë Demokratike zyrtare, Basha zgjodhi t’i përgjigjej në këtë formë. “Siç e keni parë, sapo kam dalë kanë thënë: Pse del ky? Pse flet ky? Se duan të flasin vetëm ata. Të njëjtat fytyra që flasin 30 vjet, duan të flasin vetëm ata. Por nuk e kanë vetëm me mua. Gjysma e të keqes po ta kishin vetëm me mua. E kanë me ju! Nuk duan fytyra të reja. Nuk duan zëra të rinj në debat”, nënvizoi Basha. Me të rinjtë, deputeti i PD-së përmendi edhe njëherë bashkëpunimin e Berishës me Ramën, por ndryshe nga retorika e ‘Trekëndëshit të Bermudës’, kësaj radhe ai nuk përmendi Metën. Ai u ka shprehur të rinjve se në Vlorë njerëzit s’janë të lirë të votojnë dhe zgjedhin vetëm ata që zgjidhen nga kryetari. Basha u shpreh se PS-ja është parti që riciklon vetveten. Ai u shpreh se marrëveshja e Berishës me Ramën në 2008 dëmto bashkëjetesën demokratike.










































