Google search engine
Home Politike Ja pse Lulzim Basha duhet të rikthehet në krye të PD, si...

Ja pse Lulzim Basha duhet të rikthehet në krye të PD, si e spastroi nga politika Sali Berishën dhe kush po e sponsorizon fuqishëm ish-kreun demokrat në aksionin e tij

0
100

Panorama politike pas zgjedhjeve vendore të 14 majit ka krijuar një perceptim tjetër në Shqipëri për Lulzim Bashën. Kasta e vjetër politike, duke e parë Bashën si potent, si superior dhe si kërcënim, për faktin se kishte edhe ka mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u përpoq me çdo kusht që ta “hiqte qafe” ish-kreun e PD në mënyrë që të mbretëronin të qetë. Basha u shpreh në vitin 2022 se është dorëhequr nga udhëheqja e partisë pas përpjekjeve të pasuksesshme për ta mbajtur partinë e bashkuar pas muajsh të tërë përparjesh të brendshme që konfrontuan atë me ish-kryeministrin, Sali Berisha. Por kur ka kaluar 1 vit nga largimi i tij ende PD nuk është ristrukturuar. Një nga arsyet, ishte lufta e Sali Berishës, i cili u fut me qëllimin për të riformatuar PD, por që rezultoi në fund një mashtrim duke nxitur debat të fortë brenda demokratëve. Por zhvillime të bujshme pritet të ndodhin brenda opozitës shqiptare. Gazeta “SOT”, ka mësuar se terreni për ndryshime në Partinë Demokratike ka filluar të përgatitet që tani. Duke analizuar situatën, i vetmi që mund ta shpëtojë PD është Lulzim Basha.

Çfarë treguan zgjedhjet e 14 majit?

Fillimi i fundit të kastës politike 30 vjeçare nisi me zgjedhjet vendore të 14 majit. Minimalisht 300 mijë shqiptarë refuzuan të marrin pjesë në zgjedhjet për pushtetin vendor në Shqipëri, gjë që duket se i dha socialistëve fitore dërrmuese në shumicën e bashkive. Pra këto zgjedhje i dhanë shuplakën e madhe treshes Rama-Meta-Berisha. Shqiptarët nuk e treguan me votë, por me bojkot. Pjesëmarrja e votuesve shënoi një rënie të ndjeshme dhe historike, duke e krahasuar me zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021, por dhe me ato të kaluara. Berisha dhe Meta, simbolet e mosndëshkimit në Shqipëri, po kalojnë periudhën e tyre më të vështirë në politikë, shënjuar nga një sagë skandalesh nga më të rëndat, shtrirë në një hark kohor prej tre dekadash. Koalicioni i “non gratave”, ku bën pjesë Sali Berisha dhe Ilir Meta po shkon drejt asgjësimit total. Edhe pse dyshja anti-SHBA synuan që të ngrenë një koalicion me pretendimin për të hyrë në zgjedhje, në fakt e gjitha kjo ishte një lëvizje antiamerikane ku të gjithë ish-ministrat dhe drejtorët e korruptuar, u bashkuan nga frika e veprimit të SPAK. Humbësit me rezultat historik të zgjedhjeve në Shqipëri, Sali Berisha e Ilir Meta nuk morën besimin për qeverisje as në vendlindjet e tyre. Të dy kanë humbur bazën elektorale nga njerëzit më të afërm, në Tropojë dhe në Skrapar.

Si i humbi Berisha të gjitha bashkitë e Bashës

Sali Berisha humbi 15 bashki bastione demokratësh. Shkodra dhe Tropoja ishin goditjet më vdekjeprurëse për aleancën e “non gratave”. Goditje e fortë ishte dhe Kamza. Në zgjedhjet e 14 majit, Sali Berisha humbi bashkitë që Partia Demokratike kishte fituar në zgjedhjet lokale të 2015, me në krye Lulzim Bashën, edhe pse kundra kishte PS-në dhe LSI-në e Ilir Metës, ku ky i fundit në 14 maj ishte në krah të Berishës. Në vitin 2015, PD-ja me në krye Lulzim Bashën kishte fituar në bashkitë Klos, Tropojë, Përmet, Mat, Shkodër, Vorë, Selenicë, Pogradeci, Vau i Dejës, Kukës, Mallakastër, Agron Kapllanaj, Dropull,  Devoll, Lezhë, Fran Frrokaj dhe Kamëz. Të gjitha këto bashki janë humbur në bllok nga Sali Berisha.

Fitoret e PD zyrtare pa fushatë

Duhet theksuar se Partia Demokratike zyrtare pa bërë fushatë elektorale dhe e vënë në qendër të sulmeve të kreut të “Foltores”, Sali Berisha, kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe makinerisë se qeverisë për të tjetërsuar rezultatin e zgjedhjeve lokale të 14 majit përmes trysnisë dhe blerjes së votave, apo edhe blerja e votave nga koalicionin “non grata” me ndihmën e oligarkëve, ka një përqindje të rëndësishme në një pjesë të mirë të Këshillave Bashkiakë në rreth 120 anëtarë në gjithë vendin, çka tregon se PD është sot rreze shprese për shqiptarët.

Basha spastron politikën shqiptare nga Berisha

“Sali Berisha është kthyer në një tub oksigjeni për regjimin e Edi Ramës. Unë jam i vendosur t’ia këpus këtë tub oksigjeni”, u shpreh Lulzim Basha në nëntor të vitit 2021. Dhe kështu ndodhi. Basha, me mbështetjen e fortë të amerikanëve nga pas, është politikani i parë shqiptar në këto 30 vite, që i tregoi vendin Sali Berishës. Ish-kryeministri, që prej nisjes së angazhimit të tij në fund të viteve ’80 si pjesë e pandarë e politikës në vend, duke i provuar të gjitha pozicionet politike, iu ka rezistuar politikanëve “të peshës së rëndë”, si Fatos Nano, Ilir Meta, Pandeli Majko, apo edhe Edi Rama. Sali Berisha është njeriu që i ka mbijetuar skandaleve të panumërta, para se të “gozhdohej” në një pozitë që nuk ka qenë kurrë më parë nga vetë Lulzim Basha, politikani që mendonin të gjithë se ishte kukull e Sali Berishës, por që në fund vërtetoi të kundërtën. Basha i hoqi “mburojën” Berishës kundër drejtësisë dhe amerikanëve. Falë SHBA, sot Berisha është pa parti, pa seli, pa vulë dhe pa sigël. Ishin amerikanët dhe Basha që shpëtuan partinë opozitare më të madhe në vend nga “kthetrat” e Berishës, i cili e shfrytëzonte PD për qëllimet e tij personale dhe jo në të mirë të demokratëve, apo qytetarëve. Pra të gjithë deklaratat e Lulzim Bashës për synimet e Berishës u vërtetuan.

Si punoi Meta, Berisha dhe Rama kundër Bashës

Gjykatësi më i mirë është koha, kohë e cila i jep të drejtën publike dhe morale Bashës që të kthehet në krye të Partisë Demokratike, pasi deri më tani vazhdon të provohet se “Trekëndëshi i Bermudës”, Rama, Meta dhe Berisha punuan në prapaskenë për të goditur Lulzim Bashën. Këtë gjë e tregoi skandali i korruptimit të ish-zyrtarit të lartë të FBI, Charles McGonigal, nga pala shqiptare, por që FBI po e heton edhe për favorizim të mikut të Vladimir Putin në biznese. Ky skandal ka krijuar një perceptim tjetër në Tiranë për Lulzim Bashën. Deri dje ish-kryetari i Partisë Demokratike akuzohej se kishte marrë fonde nga një oligark rus, por në dritën e skandalit të ri të ish-zyrtarit të FBI, del se gjithçka ishte kurdisur nga qeveria shqiptare për të shkatërruar PD-në e zotit Basha. Rama para se Lulzim Basha të jepte dorëheqjen nga drejtimi i PD, refuzoi ta njihte atë si kryetar të opozitës, deklaratë kjo që detyroi ambasadoren Kim të takonte kreun e Grupit Parlament të PS, Taulant Balla, i cili një ditë pas kryeministrit, deklaroi se njohin Partinë Demokratike të Bashës dhe jo Berishës. Nga ana tjetër, Ilir Meta ndihmoi Sali Berishën në luftën e tij për të rimarrë PD për qëllimet e tij personale, ku në finale synonte të merrte postin e kryetarit të opozitës.

Basha nga pas ka amerikanët, vulën, logon dhe mbështetjen në bazë

Mbështetja e Bashës nga SHBA, nisi që në vitin 2011. Aleksandër Arvizu, në atë kohë ambasador i SHBA në Tiranë, nisi të intensifikonte takimet me Lulzim Bashën, duke shmangur Sali Berishën. Në shkurt të vitin 2012, Arvizu i siguroi disa takime Lulzim Bashës në SHBA si kryetar i Bashkisë së Tiranës, duke e cilësuar një yll në ngritje në politikën shqiptare. Në vitin 2013, pas rrëzimit të Sali Berishës nga pushteti, Arvizu e konsideroi rrëzimin e Berishës nga pushteti po aq të rëndësishëm sa rrëzimi i Ramiz Alisë në vitin 1992. Betejën e Arvizu, për të ndarë Berishën nga Basha dhe PD-ja e vijoi pasardhësi i tij, Donald Lu. I gjithë investimi amerikan tek Lulzim Basha, bëri që Basha të fundoste për herë të parë Sali Berishën. Basha është politikani i parë shqiptar në këto 30 vite, që i tregoi vendin Sali Berishës duke “e eliminuar” politikisht. Vendimi i Bashës, për të përjashtuar Sali Berishën nga kjo parti, u cilësua nga Shtetet e Bashkuara si i guximshëm. Ambasada amerikane u shpreh pas lëvizjes së Bashës, se PD-ja ka marrë vendim për ta çuar Shqipërinë përpara. Gjithashtu Bashës, i erdhi një ftesë zyrtare për në SHBA, nga Amerika në selinë e PD përmes Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, duke i dhënë përmes kësaj ftese një mbështetje të madhe liderit demokrat në këtë “betejën” me ish-kryeministrin Sali Berisha të shpallur “non grata”. Në përfundim të takimit që zgjati një orë në selinë e PD Escobar u shpreh se e presin Bashën sa më parë në Ëashington. Edhe pse vizita e tij nuk ndodhi në atë periudhë për shkak të zhvillimeve politike të forta, për Sali Berishën ishte e kundërta. Ai nisi një fushatë të fortë duke dalë çdo ditë në konferenca e media dhe tregonte se Basha nuk e shkel dot Amerikën për shkak të dosjeve të tij me rusët. Por në tetor të vitit 2022,  Basha “tronditi” Berishën, për shkak se në kulmin e debateve dhe zërave që dilnin nga oazi i “Foltores” së ai nuk mund të udhëtojë përtej oqeanit Atlantik, ai befas u gjend mu në kryeqytetin e SHBA në Uashington, teksa zhvilloi takime të rëndësishme. Ajo nuk ishte vizita e tij e fundit në SHBA, muajt e fundit ish-kryetari i PD ka patur dhe vizita të tjera. Pra gjithçka është gati, Basha ka nga pas amerikanët, vulën, partinë dhe strukturat dhe kthimin e tij në krye të PD-s po e kërkojnë në prapaskenë ata që ranë në kurthin anti-Basha të politikës së vjetër. Ata të cilët i kërkuan atij dorëheqjen pas zgjedhjeve vendore të 6 Marsit 2022.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here