Lojtarët e Kombëtares po mbyllin një sezon relativisht të mirë me ekipet e tyre në Europë. Një pjesë kanë mundur të fitojnë tituj kampioni me ekipet e tyre, sikurse ndodhi me mbrojtësin e Kosovës, Amir Rrahmani, që fitoi titullin me Napolin në Itali, apo disa lojtarë të tjerë që luajnë për Jang Bojsin në Zvicër. Padyshim që shumica e futbollistëve të Kombëtares luajnë në kampionatin italian dhe aty e ka bazuar punën çdo trajner i përfaqësueses. Duhet thënë se dy lojtarë të Kombëtares kanë mundur të jenë në finalen e dy kompeticioneve më të rëndësishme të UEFA-s për klube. Kristjan Asllani luan me Interin dhe Marash Kumbulla luan me Romën, dy skuadra që respektivisht ndodhen në finalen e Champions dhe Europa League. Mundet që në finale të mos luajë asnjëri prej tyre. Madje Kumbulla është e sigurt që nuk luan, pasi para pak ditësh është operuar nga një dëmtim i rëndë dhe do të duhen disa muaj që të kthehet në fushë, ndoshta vitin tjetër, kurs Asllani është në formë të mirë, mund të marrë edh minuta në finale, por për momentin nuk shihet titullar tek Interi, për shkak se mesfusha ka shumë rivalitet. Gjithsesi, të dy futbollistët shqiptarë kanë pasur kontributin e tyre në suksesin e ekipeve përkatëse, sidomos Kumbulla që ka patur rol shumë pozitiv në sukseset e verdhekuqve të Romës, e jo rastësisht lojtarët kur ia dolën të shkojnë në finale pa eliminimit të Leverkusenit, nga dhomat e zhveshjes ekspozuan bluzën më emrin e Kumbullës, si për t’i dhënë kurajë mbrojtësit kuqezi. Një vit më parë Kumbulla fitoi me Romën titullin e Conference League, finalja e së cilës me Fejnordin u luajt në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Kamberi, lider i Zyrihut, do një ftesë nga Shqipëria
Si lojtar i rritur te Zurihu, Lindrit Kamberi e di peshën e derbit të Grasshoperit. Derbi i qytetit të Zurihut është më i madhi në futbollin zviceran. Ka histori të pasur e interesante, ndërsa të dielën pasdite u zhvillua për herë të 282-të. Dhe Kamberi dha kontribut të madh që ai t’i takojë Zurihut. Festa e tifozëve të Zurihut ishte e madhe, ndërsa vlerësimet për paraqitjen e 23-vjeçarit shumë pozitive. Kamberi po kalon formë të lartë. Edicioni 2022/2023 është më i miri në karrierën e tij të deritashme. Është stabilizuar në mbrojtjen e Zurihut, kampion i Zvicrës nga edicioni i kaluar. Të dielën ndaj Grasshoperit realizoi gol me goditje me kokë. Barazoi rezultatin në 1:1 e më pas golin e fitores 2:1 e shënoi Blerim Xhemaili. Për Xhemailin ishte derbi i fundit. Ai ka vendosur t’i japë fund karrierës si futbollist në fund të këtij edicioni. “Derbi gjithnjë është shumë emocional. Ky i luajtur dje ishte shumë emocional dhe për fat i takoi skuadrës sonë. Sidomos për ne që jemi rritur në qytetin e Zuerichut, është ndeshje më e veçantë, me vlerë shumë më të madhe. Unë si lojtar i zhvilluar te skuadra e Zurihut jam rritur duke ndier shumë peshën e derbit të qytetit. Nuk kemi folur me lojtarët e Grasshoperit, nuk jemi dashur dhe e kemi pranuar rivalitetin që ekziston. E di çfarë vlere ka për tifozët dhe jam krenar që kam shënuar gol në këtë derbi dhe kemi fituar”, ka thënë Kamberi.