Google search engine
Home Ekonomi Tjetër padi ndaj Shqipërisë në Gjykatën e Arbitrazhit, kompania “Phoenix Petroleum” kërkon...

Tjetër padi ndaj Shqipërisë në Gjykatën e Arbitrazhit, kompania “Phoenix Petroleum” kërkon 60 milionë euro nga qeveria shqiptare, kontrata u prish në 2017 me urdhër të Gjiknurit

0
123

Arbitrazhet janë kthyer në “sëmundje kronike” për Partinë Socialiste në pushtet dhe vetë shtetin. Pasi në muajt e fundit, disa kompani të huaja kanë paditur shtetin shqiptar për prishje të njëanshme dhe të paligjshme të kontratave koncesionare, këtë herë raportohet se një tjetër kompani ka hedhur në gjyq arbitrazhi ndërkombëtar shtetin tonë. Bëhet fjalë për kompaninë e përpunimit të hidrokarbureve “Phoenix Petroleum Gas”. Sipas “Oligarkia.al”, kjo kompani ka njoftuar organet përkatëse të qeverisë shqiptare se do të përballen tashmë në gjykatë ndërkombëtare (pa specifikuar se në cilën gjykatë) për të zgjidhur çështjen e zhvillimit dhe prodhimit të vendburimeve të naftës në Amonicë. Media e sipërpërmendur bën me dije se kompania kërkon dëmshpërblim minimumi 40 milionë euro. Në krahun tjetër, Avokatia e shtetit shqiptar do t’i duhet të kërkojë studiot ligjore që do të mbrojnë Shqipërinë në këtë përballje ligjore. Pas humbjes së gjyqit me biznesmenin italian Francesco Becchetti në 5 prill të këtij viti në Qendrën Ndërkombëtare të Konflikteve të Investimeve (ICSID), ndaj shtetit shqiptar kanë vërshuar dhe padi të tjera për arbitrazh. Duke parë dhe skandalin se si Avokatia e Shtetit bashkëpunon me kompanitë koncesionare duke organizuar skemën e paditjes  së shtetit tonë në gjykata ndërkombëtare, fitores së çështjeve kundër nesh dhe ndarjes së fitimeve shtet shqiptar-kompani, Shqipëria rrezikohet nga një “gropë” e madhe ekonomike me shifër mbi 1 miliard euro si pasojë e “tekave” të kryeministrit Edi Rama dhe vartësve të tij.
Konflikti mes palëve, Gjiknuri urdhëroi “Albpetrolin” në 2017 të prishte kontratën
Në shkurt të vitit 2013, qeveria miratoi marrëveshjen ndërmjet kompanisë së saj shtetërore “Albpetrol” dhe “Phoenix Petroleum Gas” për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimet e naftës në Amonicë, Drashovicë e Pekisht-Murriz si dhe në ato të gazit në Panaja, Frakull, Povelçë, Divjakë, Ballaj-Kryevidh dhe Finiq-Karnë. 4 vite më vonë, me urdhër të ish-ministrit të Industrisë dhe Energjisë Damian Gjiknuri, “Albpetrol” e prishi marrëveshjen e koncesionit ,e pretendimin se “Phoenix Petroleum” nuk kishte përmbushur kushtet e kontratës dhe kishte krijuar detyrime të mëdha financiare ndaj shtetit. Pas prishjes së kontratës, vendburimet u morën sërish në zotërimin e “Albpetrol”. Ky veprim u konsiderua si i paligjshëm nga “Phoenix”. Vendimi për të shtetëzuar sërish vendburimet e naftës dhe gazit në atë kohë çoi dhe në një përplasje institucionale mes “Albpetrol” dhe Ministrisë së Industrisë dhe Energjisë nga njëra anë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore nga ana tjetër. Kjo e dyta kundërshtoi veprimet e “Albpetrol” për shtetëzimin e vendburimeve si të paligjshme.

Pronarët e “Phoenix Petroleum” i morën Shqipërisë 12.5 mln euro në 2020
“Phoenix Petroleum” u themelua në 2011 nga shoqëritë “Otto Al” dhe “Albanian Energy Consortium” si dhe një shtetas gjerman i quajtur Jurgen Ëeise. Pas dy shoqërive të para qëndrojnë shqiptarët Naim Kasa dhe Isuf Berberi. Me kalimin e viteve, kompania ka ndërruar disa herë pronësi, por brenda të njëjtit grup. Aktualisht ajo rezulton me status të pezulluar dhe pronari i vetëm i saj është Isuf Berberi me 100% të aksioneve. I njëjti grup personash ka dhe një histori tjetër arbitrazhi me shtetin shqiptar për vendburimet e Cakranit dhe Gorishtit. Këto vendburime fillimisht iu dhanë kompanisë “Stream Oil”, por më pas ndërruan disa herë pronësi dhe përfunduan në pronësi tek “GBC Oil” me pronar Naim Kasën. Edhe këto burime u shtetëzuan nga “Albpetrol” për mospërmbushje të kushteve të kontratës. Por, “GBC Oil” e paditi Shqipërinë në arbitrazh dhe në vitin 2020 gjykata vendosi që Shqipëria duhet ta kompesonte kompaninë me 12.5 milionë dollarë.
Endri Puka, njeriu i Koço Kokëdhimës, u mor në pyetje në 2017
Përgjegjës për prishjen e kontratës në 2017 me “Phoenix Petroleum” është ish-drejtori i “Albpetrolit” Endri Puka. Në prill 2017, ai u mor nën hetim nga Prokuroria e Tiranës për shtetëzimin e vendburimeve të naftës dhe gazit, me akuzën e “Konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës”. Atë kohë, Puka nuk pranoi të jepte sqarime pa avokatin e tij. Ai dhe akuzohej se kishte zhvatur puset e koncensionarit në mënyrë arbitrare, duke neglizhuar kërkesën e AKBN-së dhe të Ministrisë së Financave. Për verifikim kaloi dhe ministri i kohës së Industrisë dhe Energjisë, Damian Gjiknuri. Në 27 janar 2018, Puka u shkarkua nga detyra e drejtorit të “Albpetrolit” me justifikimin e ristrukturimit të institucionit në fjalë. Ai u pasua nga Kastriot Bejtaj, i cili deri më tani mbante postin e Drejtorit Teknik në “Albpetrol”. Endri Puka u emërua në krye të “Albpetrolit” në 2013, pasi socialistët erdhën në pushtet. Ai kishte drejtuar bizneset e ish-deputetit socialist Koço Kokëdhima dhe emërimi i tij në krye të “Albpetrolit” u konsiderua si propozim nga Kokëdhima.
Raporti për skandalin me “Albpetrolin”: Puka dhe Gjiknuri falsifikuan bilancet
Në 25 janar 2022, Ministria e Financave dhe Ekonomisë kreu një ekspertim për çështjen e humbjes së 12.5 milionë eurove në Arbitrazh mes shtetit shqiptar dhe kompanisë “GBC Oil”. Ish-drejtori Puka dhe ish-ministri Gjiknuri u akuzuan se kishin fshehur vendimin e arbitrazhit ndërkombëtar të 2020 dhe për më tepër “Albpetrol” kreu akte fiktive dhe kontabilizimi për marrjen në dorëzim të aseteve të “GBC OIL”. Kontabilizimi ka ekzistuar i deklaruar si shifër, por nuk është shoqëruar me fatura dhe depozitimet përkatëse. Bëhet fjalë për një vendim të firmosur nga Endri Puka në vitin 2017, sipas të cilit tre vendburimet e naftës që ishin nën koncesionin e kompanisë amerikane “GBC Oil” do shtetëzoheshin, gjë që çoi në largimin e kompanisë koncesionare. Kontabilizimi i rremë është regjistruar edhe në bilancin e kompanisë “Albpetrol”, ku është bërë shtim kapitali. Por, as Endri Puka dhe as Damian Gjiknuri nuk u morën asnjëherë të pandehur nga drejtësia shqiptare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here