“Një dasmë e hatashme” do të jetë në skenën e teatrit “Zihni Sako” të Gjirokastrës. Komedia brilante që është prodhim i Tetarit Shëtitës “Çajupi” për dy net me radhë do të jetë në skenën teatrore të Gjirokastrës. Me regji nga Kiço Londo komedia do të shfaqet për publikun mbrëmjen e së dielës dhe së hënës. Një komedi brilante e këtij sezoni artistik, që po korr sukses në skena të ndryshme, që e sjellin në skenë Julian Deda, Fatma Haxhialiu, Ermira Hysaj, Marjana Kondi, Denisa Demaj dhe Engjëll Hoxha. “Një dasmë e hatashme” është shkruar nga Robin Hawdon dhe përkthyer nga Artur Lena. Në skenën teatrore vjen për publikun një komedi tipike britanike, që përfshin një numër të pafund përplasjesh me shpejtësinë e dritës. Në mëngjesin e dasmës së tij, dhëndri zgjohet në suitën e hotelit me një vajzë të panjohur, e cila rezulton të jetë e dashura e re e shokut të ngushtë. Dhëndri dhe shoku që është dhe kumbari (duke mos ditur kush është vajza) e kalojnë aktin e parë duke u përpjekur të fshehin situatën nga nusja dhe të përdorin shërbyesen e dhomave. Situata bëhet më e ndërlikuar pasi zbulohet identiteti i vajzës dhe i shërbëtores. Shoku i ngushtë, nusja dhe nëna e nuses fillojnë të bashkojnë të gjitha pjesët. Gjithçka funksionon në fund, por jo pa dhimbje. Komedia “Një dasmë e hatashme” deri tani është shfaqur në qytete të ndryshme të vendit për publikun, si në Tiranë, Durrës, Korçë, Pogradec, Elbasan ,Vlorë, Patos, Krujë, etj.
Linja e dashurisë në vepër
Një tekst mahnitës, kostume fine, aktorë të mrekullueshëm në këtë shfaqje teatrore. Ajo që e ka ngacmuar më shumë regjisorin Kiço Londo për të sjellë këtë komedi brilante në skenë është linja e dashurisë. Sipas Londos, që është shprehur më herët rreth veprës teatrore që vjen në skenë, arsyeja e parë pse zgjodhi “Një dasmë e hatashme” është koherenca, që ka me realitetin shqiptar. “Ngjarjet në “Një dasmë e hatashme” përshkruhen nga një kaos, nga mungesa e qetësisë, nga zgjedhjet gabim, nga çorientimi psiqik dhe fizik i personazheve dhe vetëm ndërhyrja e fortë e dashurisë bën që situata të kthehet në normalitet. Por ajo që më ka ngacmuar më shumë është linja e dashurisë së veprës. Pra përveçse është një komedi e bukur, e shpejtë, me karaktere të fuqishme, me dialog brilant, vepra ka edhe një linjë të dashurisë romantike. Dashuria zgjidh gjithçka”, shprehet regjisor Londo. Teatri Shëtitës “Çajupi” që udhëhiqet nga regjisori Kiço Londo ka sjellë deri tani prodhime të ndryshme teatrore, një sukses me veprat që janë shfaqur për publikun. Në vijim të tyre vjen dhe komedia brilante “Një dasmë e hatashme” që do të jetë mbrëmjen e së dielës dhe së hënës në skenën e Gjirokastrës. Kiço Londo është një regjisor që në aktivitetin e tij synon vepra të shquara të dramaturgjisë botërore, duke bërë një përzgjedhje të goditur të aktorëve. Nën regjinë e tij dhe më parë në skenë për publikun ka sjellë drama dhe komedi, që janë mirëpritur dhe vlerësuar.



































