Artistët e grupimit “Muri” vijnë me ekspozitën e katërt. Punime të ndryshme,që ekspozohen për herë të parë për publikun. Grupi “Muri” hapi ekspozitën në Galerinë e Artit Tiranë, me vepra të artit bashkëkohor që sillen nga 11 artistë të njohur të artit pamor në vendin tonë. Ekspozita në GAT vjen këtë edicionin e kuruar nga piktori Adrian Devolli. Skulptori Idriz Balani pjesë grupimit artistik “Muri” tregon se ekspozita është bërë tashmë pjesë e jetës artistike në Tiranë. Ai thotë se dhe këtë vit secili prej 11 artistëve pjesëmarrës vjen me punime, që ekspozohen për herë të parë për publikun. “Ekspozita e grupimit të artistëve “Muri” këtë vit vjen në edicionin e katërt për publikun. Ekspozita në Galerinë e Artit Tiranë (GAT) përmban veprat e reja të çdo artisti që merr pjesë dhe që ekspozohen për herë të parë për publikun, secili artist sipas konceptit, teknikës që ka. Tematikat në punime janë të lira. Në ekspozitë kemi dy qeramiste shumë të mira, që marrin pjesë, artistet Mira Kuçuku dhe Llambrini Dena, si dhe unë si skulptor, ndërsa autorët e tjerë janë piktorë. Kemi artistë këtë vit që kanë nga katër punë apo nga dy punë”, tregon skulptori i njohur Idriz Balani. Punime në pikturë dhe skulpturë janë këtë vit në ekspozitën në Galerinë e Artit Tiranë, realizuar prej 11 emrave të njohur të artit pamor, ku në ekspozitë veprat dhe mund të blihen. Skulptori Idriz Balani tregon se një përqindje i shkon institucionit, që ka hapur ekspozitën për publikun. “Kur blihen veprat në ekspozita që janë në institucione, kudo që blihen kanë një përqindje të tyre që e merr institucioni që është ekspozita. Një përqindje që është e vendosur. Dhe në këtë ekspozitë nëse do të blihen vepra artit, një përqindje e ka GAT”, tregon skulptori Balani.
Formimi i grupit të artistëve
Artistët e grupimit “Muri” rikthehen këtë vit në Galerinë e Artit Tiranë me ekspozitën e tyre, duke u bërë pjesë e veprimtarisë artistike së këtij institucioni të artit pamor. Ekspozita përmban punime të artistëve Adrian Devolli, Arben Meksi, Fatmir Minga, Fatmir Tufina, Idriz Balani, Leon Çika, Luan Boriçi, Llambrini Dena, Marjana Goxhabelliu, Mira Kuçuku dhe Violeta Kongo. Ekspozita këtë vit do të qëndrojë deri më datë 29 maj në Galerinë e Artit Tiranë. Më herët piktori Adrian Devolli ka treguar se “Muri” është grupimi i artistëve, që janë bërë bashkë për të zhvilluar aktivitetin në jetën artistike në fushën e artit pamor në vendin tonë. Për piktorin e njohur Devolli shumë rëndësi ka edhe përballja e vlerave në artin pamor. Piktori Devolli mes të tjerave tregon se në art duhet të jetë edhe kritika. “Bashkë me njerëzimin ka lindur dhe arti. Por në Shqipëri nuk ka kritikë dhe mungon përballja e vlerave. Njeriu duhet të përballet. Kjo është domosdoshmëria e kësaj gjendje dhe vetëm marrëdhënia në bashkësi sjell zhvillim”, shprehet piktori Devolli. Një vit më parë grupi artistik “Muri” hapi në GAT ekspozitën e tretë.



































