Festivali i Resë/Cloud Festival 7, përzierja e tradicionales me bashkëkohoren. Festivali këtë vit ka bërë bashkë artistët shqiptarë dhe të huaj me performanca kulturore, si bashkëkohore ashtu dhe tradicionale. Performanca “Dasëm pa nuse” hapi edicionin e shtatë të Festivalit të Resë në Tiranë më 4 maj dhe po vijon me artistët për publikun. Në mbrëmjet e festivalit një natë e mbushur me kulturë, këngë dhe atmosferë shumë të bukur ishte me Sazet e Përmetit. Artistët sollën muzikën e tyre të trashëguar brez pas brezi, e pasuar nga këngët spanjolle të Loren Alvarez. Më herët ishin te Reja “Grupi Çunat e Tironës” përbërë nga Bledi Mbroci (këngëtar) , Fatjon Konxholli (këngëtar), Roni Mulleti (tastierist kryesor), Nardi Rrapo (tastierë), Mir Fusha (bateri), Klodi Mulleti (tarabukë), Erald Demiri (klarinetë), që dhuruan një natë festive. Një mbrëmje e paharrueshme në festival ishte dhe nga Beti dhe Fation, që sollën plot gjallëri me këngë popullore shqiptare, ndërkohë që Marco Castelli fali emocione. Ansambli “Pulsi i Beratit” gjithashtu dhuroi shumë emocione dhe momente të bukura në festival. Në vijim programi do të sjellë të tjerë artistë, si “Foltin” që është një grup muzikor nga Maqedonia e Veriut, që njihen për eksperimentimin e tyre me shumë stile dhe tinguj. Muzika e tyre është një përzierje e shumë zhanreve të cilat përfshijnë Indie, Alternative, World Music, Funk, Electroacoustic, Jazz etj. Shfaqjet e Foltin janë teatrale dhe qëndrojnë shumë afër stilit të kabaresë. Ata gjithashtu kanë punuar në produksione muzikore teatrale dhe filmash që nga viti 1998/1999, duke përfshirë këtu edhe filmin “Honeyland”, fitues i çmimit Oscar dhe Sundance 2019 në kategorinë për filmin më të mirë ndërkombëtar. Mbi 150 artistë shqiptarë dhe të huaj me performanca janë këtë vit në festivalin, që zhvillohet deri më 20 maj. Drejtoresha artistike e festivalit Edit Pula shprehu më herët se Festivali i Resë vjen me një program të larmishëm, si shfaqje të ndryshme, filma, ansamble, orkestra të mëdha, etj. Festivali i Resë organizohet nga Bashkia Tiranë, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, disa ambasadave të huaja, etj.



































