Ekspozita “Gruaja në imazhin fotografik shqiptar”, në kuadër të “Idromeno Independent Film Festival”

0
74

Festivali “Idromeno Indipendent Film Festival” këtë vit erdhi me një kalendar të pasur aktivitetesh. Edicioni i dytë i festivalit dedikuar filmit në Shkodër nisi disa ditë më parë, ku sot është dhe dita e fundit e tij. Në “Idromeno Independent Film Festival” në bashkëpunim me  Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit dhe organizatën “Gruaja tek gruaja” është dhe programi “Idromeno Uncovering”. Të talentuara, të guximshme dhe frymëzuese, “Idromeno Uncovering” sjell vajzat e gratë që ndryshuan mentalitetin e kinematografisë shqiptare. “Gruaja në imazhin fotografik shqiptar- një udhëtim fotografik” një ekspozitë kuruar nga Erjon Tusha në festival, me 10 foto që shpërfaqin shoqërinë e epokave të ndryshme në imazh. Në tekstin kuratorial thuhet se gjatë kësaj kohe komplekse të historisë së kulturës shqiptare, shumë aktore shkëlqyen dhe arritën popullaritetin e tyre pavarësisht kontrollit të diktaturës së kohës. “Duke përdorur teknologjinë më të fundit fotografike, kjo ekspozitë i dedikohet arritjeve të interpretimit të disa aktoreve më të dashura të ekranit shqiptar si: Roza Anagnosti, Elvira Diamanti, Anisa Markarian dhe Luiza Xhuvani. Këto fotografi të marra nga negativët origjinalë janë vetëm një pjesë e vogël e një koleksioni të jashtëzakonshëm fotografish që po ruhen për brezat e ardhshëm të regjisorëve, studiuesve të filmit, studentëve të fotografisë dhe të apasionuarve pas filmit artistik”, thuhet rreth ekspozitës që u hap më 7 maj në sheshin para Bashkisë Shkodër. AQSHF shprehet se falë punës me projektin MEAP financuar nga UCLA Library u bë i mundur skanimi i fotonegativëve nga Fototeka dhe aksesi në to për qëllime studimore, edukative apo artistike. Në festival edhe këtë vit u shfaqën filma të ndryshëm në kinema, por gjatë ditëve të festivalit në bashkëpunim me Qendrën Rinore Atelie u zhvillua dhe “Idromeno Industrial” . Ditët e dedikuara profesionistëve të kinemasë dhe studentëve që aspirojnë të bëhen pjesë e industrisë së filmit. Programi konsistonte në workshop, konservimi dhe restaurimi i filmit dhe fotografisë, masterclas, arti i aktrimit, etj.

Festivali dhe bashkëpunimi me AQSHF

AQSHF këtë vit erdhi në një bashkëpunim të dytë me këtë festival, ku më herët sipas faqes së “Idromeno Independent Film Festival” me drejtoreshën Marinela Ndria u zhvillua dhe një diskutim rreth ekspozitës, që u hap me fotografi. “Edhe ky edicion i dytë i “Idromeno Independent Film Festival” na bën bashkë me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, një nga bashkëpunëtorët tanë më entuziastë. Jemi të lumtur të kemi sot në Shkodër drejtoreshën e Arkivit, Marinela Ndrian, për të diskutuar rreth ekspozitës me fotot më pikante që përfaqësojnë figurën e gruas në kinematografi në programin “Idromeno Uncovering”. Fotot janë pjesë e Fototekës së Arkivit ku dhe sapo ka përfunduar procesi i digjitalizimit”, thuhej në faqen e festivalit. Në edicionin e parë të tij vitin e kaluar “Indipendent Idromeno Film Festival” zgjati për plot një javë dhe pjesë e tij u bënë filma me metrazh të gjatë dhe të shkurtër së bashku.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here