Festivali i Resë në edicionin e shtatë, mbi 150 artistë shqiptarë dhe të huaj me performanca kulturore si bashkëkohore ashtu dhe tradicionale

0
139

Performanca “Dasëm pa nuse” hap edicionin e  shtatë të Festivalit të Resë në Tiranë. Mbi 150 artistë shqiptarë dhe të huaj me performanca kulturore bashkëkohore dhe tradicionale do të jenë në festival, që këtë vit zhvillohet në datat 4-20 maj. Drejtoresha artistike e festivalit Edit Pula shprehet se Festivali i Resë vjen me një program të larmishëm. “Festivali i Resë/Cloud Festival 7, përzierja e tradicionales me bashkëkohoren. Reja që prej instalimit të saj përpara Galerisë Kombëtare të Arteve në 2016, jo vetëm është kthyer në një pikë referimi për qytetin,në një atraksion turistik, por edhe një vend alternativ kulturor i cili bashkë me Festivalin e Resë, tashmë në edicionin e tij të 7-të, ofrojnë një program të larmishëm kulturor për qytetin dhe komunitetin e Tiranës. Nga data 4-20 maj, për 16 net radhazi, do të prezantojmë më shumë se 150 artistë kombëtarë dhe ndërkombëtarë të zgjedhur me kujdes nga dy skajet kulturore ekstreme – bashkëkohore dhe tradicionale”, shprehet Edit Pula në faqen e festivalit. Të gjitha materialet për këtë edicionin mund të gjenden në faqen e festivalit në rrjete sociale, ku drejtoresha artistike Edit Pula thotë se do të ketë shfaqje të ndryshme, filma, ansamble, orkestra të mëdha, etj. “Bashkohuni me ne dhe shijoni shfaqjet intime të dansit bashkëkohor, muzikës, poezisë, bisedave, seminareve, prezantimeve, artit të performancës, filmit pa zë shoqëruar me kolonë zanore live, performancës së karnavaleve, artit të rrugës, si dhe ansambleve dhe orkestrave të mëdha e festive kore dhe DJ-të, ushqim dhe pije, bashkësi, të gjitha në një vend”, shprehet ajo në faqen e festivalit. Cloudfest 7/ Festivali i Resë organizohet nga Bashkia Tiranë, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, disa ambasadave të huaja, etj. Të gjitha eventet janë pa pagesë dhe të përshtatshme për të gjitha grupmoshat.

 Disa nga aktivitet në festival

“Dasëm pa nuse” vjen si performanca që do të ngrejë siparin e edicionit të 7-të të “Cloud Fest”. Kjo do të jetë një performancë, që do të sjellë dasmën tradicionale shkodrane, me këngët dhe gjithë atmosferën dhe gjallërinë që e karakterizon. “Orkestra Shkodra”, të cilët së fundmi kanë publikuar dhe albumin muzikor “Si bylbylat në pranverë”, do të vijnë në “Cloud Fest” për të elektrizuar skenën. Pas kësaj atmosfere, mbrëmja do të vijojë brenda instalacionit Reja, me performacën e dancit bashkohor  “Sub Rosa Dictum” nga kompania Was Bleibt Collective/ Gentian Doda koreografi. Në vijim gjatë festivalit vijojnë aktivitete të ndryshme, ku përmendim dhe  “Karnavale” Arapët e Polenës më 6 maj. “CloudFest” do të sjellë gjithashtu një traditë të hershme të folklorit shqiptar, në një performance unike të artistes që i është përkushtuar ruajtjes së kësaj tradite. Me origjinë nga Shkreli i Malësisë së Madhe, Lumturije Nonaj do të jetë në festival më 7 maj. Në festival do t’i këndojnë Tiranës, artistët Rik Buneci, Iris Bega, këngëtare e Ansamblit Shtetëror dhe ansamblit me famë ndërkombëtare “Tirana Allstars” së bashku me Fatjon Konxhollin. Shoqëruar nga instrumentistë veteranë për të dhuruar e festuar traditën e mrekullueshme muzikore “Tironse”. Vjen në “CloudFest” për të performuar më 8 maj, ansambli “Pulse of Berat”, i përbërë nga këngëtarët dhe instrumentistët virtuozë nga Berati. Marco Castelli, saksofonist dhe kompozitor, i cili e ushtron veprimtarinë e tij jo vetëm në botën e xhazit, vjen për herë të dytë në “Cloudfest”, duke sjellë përvojën fantastike të shfaqjes së filmit pa zë të shoqëruar me kolonë  zanore live me saks dhe elektronikë. Marco sjell një tjetër kryevepër italiane të filmit pa zë, filmin  Cabiria (1914) ,i cili bazohet në Siçilinë e lashtë, Kartagjenë dhe Cirta gjatë periudhës së Luftës së Dytë Punike (218-202 para Krishtit). Në radhët e artistëve dhe ansambleve do të jetë dhe grupi folklorik i Vlorës “Bilbili” i krijuar në vitin 1994. Lorena Alvarez gjithashtu është një prej artisteve në festival, ku në vijim janë të tjerë artistë shqiptarë dhe të huaj deri më 20 maj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here