Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Azgan Haklaj është shprehur se në Tropojë ka 200 varre djemsh të rinj. Teksa ishte i ftuar në një studio televizive këtë fundjavë dhe duke folur mbi dëshminë e Aishe Haklajt, ai theksoi se të gjithë regjimet kanë qenë armike me Tropojën, që sipas tij, është emër sllav i vendosur nga Enver Hoxha. “Fantazia kriminale ka kaluar përtej çdolloj limiti apo imagjinate njerëzore. Janë 200 varrë në Tropojë nga mosha 20-45 vjeç. Kjo është fatura që ka paguar Malësia e Gjakovës për shkak të historisë së saj. Gjithë regjimet kanë qenë armike të Malësisë së Gjakovës që nga Enver Hoxha që e pagëzoi me emrin sllav Tropojë dhe deri ditët e sotme”, deklaroi ai. Ndërkohë ish-deputeti Azgan Haklaj, ka dënuar dhunimin e varreve të të afërmve të tij në Tropojë. Ai tha se varret në kodrën e Haklajve, janë dhunuar disa herë, me akte nga më të pashembullta në histori. Haklaj theksoi se këto gjeste të shëmtuara i bëjnë vetëm sllavët dhe jo shqiptarët. “Ju duhet ta kishit nis emisionin zonjë me dhunimin e varrezave. Beteja për varrezat është akti më i shëmtuar më i pashembullt në histori. Varret i dhunojnë vetëm sllavët, serbët, maqedonasit dhe grekët. Janë dhunuar disa herë varret e Haklajve. Aty nuk është vetëm një varr i dhunuar, atje është dhunuar krejt kodra e Haklajve, ku janë bërë beteja legjendare me pushtuesit e shumtë”, nënvizoi Haklaj.