“Udhëtimi” i Hasan Nallbanit në piktura, ekspozita personale vjen me peizazhe, natyrë e qetë dhe kompozime

0
138

Peizazhe, natyrë e qetë dhe kompozime janë pjesë e ekspozitës së piktorit të njohur Hasan Nallbani. “Udhëtimi” i Hasan Nallbanit vjen në piktura, ku ekspozita personale e artistit të njohur është bërë gati për t’u hapur nesër në “Golemi Art Gallery”. Për publikun siç tregon piktori ekspozohen njëzet punime në pikturë. I njohur dhe i vlerësuar në artin figurativ, piktori Hasan Nallbani tregon se në “Udhëtimin” janë punime që ekspozohen për herë të parë në një galeri arti. “Një koleksion punësh në pikturë, veçanërisht më shumë me peizazhe, natyrë e qetë. Peizazhe më shumë një pjesë janë nga Pogradeci, ku unë shkoj shpesh për pushime dhe pikturoj. Ka dhe punë që i kam bërë në studio prej vitesh dhe nuk i kam ekspozuar më parë. Më erdhi rasti që ti ekspozoj tani te kjo galeri. Nuk i kam ekspozuar qoftë dhe në Tiranë, sepse është vështirë dhe ka pak ambiente për të ekspozuar tani. Galeri private janë pak dhe të kufizuara në mundësinë e ekspozimit”, tregon piktori. “Udhëtimi” në piktura është një përzgjedhje e punimeve të piktorit të bëra ndër vite. Por piktori Hasan Nallbani thotë se bashkë me piktorin Arben Golemi zgjodhën disa punime, që i rrinin mirë kësaj galerie. “Ka punime të hershme dhe më të fundit që kam bërë. Galeria e Arben Golemit është e tillë që nuk mban dimensione të mëdha dhe u zgjodhën ato, që mendoj se i shkonin asaj galerie”, tregon piktori Nallbani.

 Bashkëpunimi për ekspozitën

Piktori Hasan Nallbani tregon se Arben Golemi është dhe iniciatori i kësaj ekspozite personale. Por sipas tij, galeritë private duhen ndihmuar në aktivitetin e tyre artistik. “Arben Golemi u bë iniciatori i kësaj ekspozite dhe unë kam një marrëdhënie të hershme. Ai erdhi zgjodhi një pjesë të punimeve për t’ u ekspozuar. Tirana ka pak mundësi ekspozimi për piktorët, nuk salla, por dhe galeritë private duhet të kenë një lloj ndihme për punën e tyre që të nxjerrin dhe ato shpenzimet”, shprehet piktori Hasan Nallbani. Njëzet punime vaj në kanavacë janë pjesë e “Udhëtimit”, por piktori Arben Golemi në galerinë e të cilit po hapen ekspozita të ndryshme të artistëve të njohur thotë se ka ndjekur krijimtarinë e Hasan Nallbanit që herët. “Vijmë të dy nga një qytet nga Berati dhe ka qenë pedagogu im në arkitekturë, ku më ka dhënë vizatim kur kam qenë student. Kjo galeri nuk është aq e madhe sa të ketë krijimtarinë bazike të Hasanit, kompozimet e mëdha, etj, por është një galeri që mban punë intime, pra ka një autoportret, kompozime, natyra të qeta, peizazhe. Bashkëpunimin me Hasanin e kam pasur gjithmonë në kuptimin piktorik, shoqëror, intelektual”, tregon piktori Arben Golemi. Ekspozita që do të hapet nesër vjen në vijim të atyre që janë hapur më parë nga piktori Hasan Nallbani, ku ekspozita e fundit personale ka qenë në vitin e shkuar në Sarandë. Ekspozita “Udhëtimi”, që hapet nesër do të qëndrojë deri më 18 maj për publikun.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here