Opera “Samson et Dalila” vepër e kompozitorit Camille Saint-Saëns me një kast artistësh shqiptarë e të huaj premierë në TKOB

0
104

Opera “Samson et Dalila” premierë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Një vepër e kompozitorit Camille Saint-Saëns, me libret të Ferdinand Lemaire, shkruar në fillimet e luftës franko-prusiane, “Samson et Dalila” trajton episodin e njohur biblik të konfliktit midis hebrenjve, udhëhequr nga Samsoni i guximshëm, dhe filistinëve paganë e shtypës. Dalila, priftëresha e perëndisë Dagon, josh me bukurinë e saj, Samson-in, udhëheqësin e hebrenjve, për të zbuluar sekretin e forcës së tij e për ta shkatërruar plotësisht atë. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit sjell në skenë këtë vepër premierë me një kast artistësh shqiptarë dhe të huaj. Pas mbrëmjes së të hënës, opera do të vijojë dhe dy net të tjera për publikun, në datën 26 dhe 28 këtë muaj. Nën idetë regjisoriale të Paul – Emile Fourny, drejtorit të përgjithshëm të Opera-Theatre – Eurometropole de Metz, me një kast artistësh shqiptarë e të huaj, shoqëruar nga Orkestra Simfonike dhe Kori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, kjo vepër siç shprehej më parë institucioni përshkon repertorin më të rëndësishëm operistik francez. Dirigjent orkestre Marco Attura. Mexosopranoja Vikena Kamenica vjen protagoniste në shfaqjen operistike, ku interpreton rolin Dalila. Tenori Dario di Vieri interpreton Samson, për të vijuar me artistët Armando Likaj, Bledar Domi, Xhieldo Hyseni, Erlind Zeraliu, Andi Istrefi, dhe me Gilmond Myftari e Artur Vera. Skenograf Genc Shkodrani, kostumografia nga Berina Kokona, dirigjent kori Dritan Lumshi, as. regjisore Ada Gurra, skulptorë Euro Rrasa, Klevis Myrta, koncertmaestër Herta Cane, Igli Rrapaj dhe Thanas Paskali.

Opera dhe autori

 Opera me tre akte “Samson et Dalila” vjen në skenën e TKOB-së si një produksion i ri, që kthen pas në kohë, brenda tempujve të Filistinëve, me skenat e gjuhës simbolike monumentale dhe kostume tërësisht të veçanta. “Në një këndvështrim plotësisht origjinal mes dashurisë së Samsones, udhëheqësit guximtar të hebrenjve, dhe Dalilës, priftëreshës  së perëndisë Dagon. Premierë që nuk duhet humbur”, shprehet TKOB. “Samson et Dalila”, opera nga Camille Saint-Sawns u shfaq për herë të parë në Teatrin Grossherzogliches në Weimar më 2 dhjetor të vitit 1877. Charles Camille Saint-Sawns ( 9 tetor 1835 – 16 dhjetor 1921) ishte një kompozitor dhe pianist. Ai filloi të studionte piano në moshën tre vjeçare dhe bëri debutimin e tij në koncert në moshën pesë vjeçare. Karriera e tij filloi si organist në kishat franceze, veçanërisht në kishën Madeleine . Ai themeloi Societe Nationale de Musique me Romain Bussine me synimin për të bërë të njohura dhe interpretuar veprat e autorëve francezë. Si kompozitor ai fillimisht u ndikua nga Franz Liszt. Ai shkroi  muzikë orkestrale, vepra operistike, etj. Ai mbahet mend kryesisht për veprat “Samson et Dalila” dhe “Le Carnaval des Animaux”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here