Klajdi Marku: Festivali i aktrimit “Apollon” rikthehet pas disa vitesh, në skenë shfaqje që trajtojnë probleme të shoqërisë sonë

0
133

Festivali i aktrimit “Apollon” rikthehet pas 13 edicioneve, që ka zhvilluar më parë. Një festival garues, që këtë vit zhvillon edicionin e 14-të. Drejtori artistik Klajdi Marku shprehet se festivali sjell në skenën teatrore vepra të autorëve shqiptarë dhe të huaj, me në role aktorë të njohur për publikun. Në intervistën për gazetën “SOT” drejtori artistik Klajdi Marku tregon se pse festivali u ndërpre vite më parë dhe thotë se në rrethe zhvillimi i aktiviteteve artistike ka rëndësi. Sipas tij, festivali i aktrimit “Apollon” sjell këtë vit në skenë shfaqje që trajtojnë problematika të shoqërisë sot. Festivali që nisi në teatrin “Bylis” do ta shndërrojë Fierin në destinacionin e artit skenik. Nga data 24 -28 prill në teatrin “Bylis”, sipas drejtorit Marku për publikun do të jenë në skenë komedi të autorëve të njohur. Festivali edhe vite më parë ka pasur karakter konkurrues, me fokus tek aktrimi. Çmimet jepeshin për aktorin dhe aktoren më të mirë, etj, ku dhe këtë vit në natën e fundit të festivalit do të ndahen çmimet. Juria e festivalit këtë vit përbëhet nga artistët Ndriçim Xhepa, Luli Bitri dhe Enver Petrovci.

-Festivali i aktrimit “Apollon” rikthehet pas disa vitesh mungesë. Çfarë mund të na thoni më shumë mbi edicionin e këtij viti?

Festivali i aktrimit “Apollon” në qytetin e Fierit zhvillon këtë vit edicionin e 14-të të tij. Festivali rikthehet pas 13 edicioneve, që janë zhvilluar më parë. Edicioni i fundit i festivalit “Apollon” ka qenë në vitin 2014. Festivali këtë vit që rikthehet sjell në skenë disa trupa artistike, që kanë bërë më parë dhe një marrëveshje me bashkinë e Fierit. Bashkia i ka sponsorizuar për shfaqjet që janë vënë në skenën teatrore, dhe midis të tjerave është biseduar që këto shfaqje do të jenë edhe në festival. Festivali ka shfaqje që janë bashkëprodhime, ku nuk mungojnë dhe shfaqje të autorëve nga Kosova. Aktori Mentor Zymberaj nga Kosova luan në monodramë, si dhe një vepër e autorit nga Kosova Naser Shatrolli, por që luhet nga Leonard Hamitaj. Në festival ka dhe një workshoop, që do të bëhet me të rinjtë kryesisht. Do të bisedohet se ku është teatri sot dhe si ka evoluar ai, publiku sot, etj. Kjo do të finalizohet nga një punë me pjesën “Medea” të Euripidit, që do të jetë një fragment i saj me të rinjtë për këtë festival. Festivali i aktrimit “Apollon” është i vetmi festival në vendin tonë për aktorin dhe do të ndahen 4 çmime këtë vit në Fier.

-Në festival janë shfaqje të ndryshme, si dhe monodrama. Çfarë përcjellin te publiku me tematikën e tyre, sa i gjejmë problemet kohës?

Tematikat janë të ndryshme, por kryesisht shoqërore. Janë shfaqje që i flasin kohës sot. Në shfaqje janë probleme familjare, të shoqërisë sonë, probleme të ditës së sotme. Janë komedi, ku publiku shikon veten. Mbi të gjitha publiku në këto kohë ka nevojë dhe të qeshë. Festivali zhvillohet në teatrin “Bylis” në Fier, por të mërkurën paradite do të kemi dhe një ditë poetike, “Muza arbërore”. Këtë vit meqë kemi trupat artistike, artistët që janë të ftuar të bëjmë dhe një bisedë. Do të përkujtohet dhe si dita e Skënderbeut, e vënies së kurorës së Skënderbeut.

-Festivali “Apollon” vjen këtë vit me garë dhe çmime. Në juri janë artistë të njohur, si Ndriçim Xhepa, Luli Bitri apo dhe Enver Petrovci nga Kosova…

Ndriçim Xhepa dhe Enver Petrovci për mua janë korifenj. Janë 100 për qind të besueshëm, por dhe aktorja Luli Bitri që është më e re të rinjtë po sjellin frymën e re, dhe teatri ynë ka nevojë për frymën e re. Luli Bitri është një aktore shumë e mirë dhe e talentuar në teatër. Më vjen mirë që publiku fierak po vjen në teatër dhe i është afruar goxha atij. Publiku ka treguar që po e pëlqen teatrin dhe po vjen. Unë kam bindjen, që të gjitha netët e festivalit do të jenë plot për të parë shfaqjet, që luhen në skenë gjatë netëve të tij. Në skenë do të jenë vepra teatrore komedi si “Certifikata e martesës”, “Shtëpiakë të dëshpëruar”, “Çehovi i jep lamtumirën Tolstoit”, etj. Janë shfaqje teatrore, që janë testuar më parë në teatër dhe janë dhënë me sallën e tejmbushur me publik.

-Sa kanë rëndësi bashkëpunimet me shfaqjet teatrore për jetën artistike?

Në kuadër të këtyre bashkëprodhimeve artistike rikthehet dhe Festivali i Aktrimit “Apollon” në skenën e teatrit “Bylis”. Pra është kjo frymë që e rikthen festivalin këtë vit. Meqenëse teatri deri parvjet ishte në rikonstruksion, kur e mbaroi atë bashkia filloi t’i rikthehet jetës artistike dhe vjet ka qenë shumë produktive. Vjet mbaronin biletat si dikur që mbaronin një ditë përpara shfaqjes, publiku kishte një dëshirë të madhe për të parë teatër dhe për këtë isha shumë i lumtur.

-Ju zhvilloni një festival të aktrimit. Për nivelin artistik çfarë mund të na thoni?

Në bordin e festivalit është regjisori i njohur Adonis Filipi, aktori Ndriçim Xhepa, si dhe Adriana Mile, që është drejtoreshë e artit dhe kulturës së qytetit. Niveli artistik ka shumë rëndësi. Trupat artistike që marrin pjesë këtë vit, një pjesë e mirë e tyre kanë bërë marrëveshje që duhet të vijnë në festival, por ato kanë qenë shfaqje të suksesshme në raport me publikun. Komedi, që publiku i ka mirëpritur dhe i do. Në festival janë komedi të bukura dhe me aktorë shumë të mirë. Luajnë aktorë si Gentian Zenelaj, Olta Daku, etj, janë të gjithë regjisorë dhe aktorë shumë të mirë.

-Festivalin e Aktrimit “Apollon” ju e keni zhvilluar për vite me radhë pastaj u ndërpre. Çfarë mund të na thoni tashmë, që arritët ta rikthenit?

Festivali u zhvillua për vite më radhë dhe më ka munguar. Erdhi një moment që nuk kisha më shpresë që do të realizohej dikur kur u ndërpre. Festivali nuk ishte i imi, por ishte i qytetit. Kur je në Tiranë është ndryshe, por rrethet kanë nevojë për jetë artistike. Festivali “Apollon” sinqerisht që ishte gjë e bukur. Unë e kam nisur zhvillimin e këtij festivali diku në vitet 2001-2002 kur ishte gjallë aktori i madh Kadri Roshi dhe të tjerë personalitete të teatrit. I kisha në juri të festivalit. Mendoni që salla mbushej ato vite plot me publik, qytetarët takonin artistët që i donin. Ishte një tjetër atmosferë e bukur kur zhvillohej festivali ndër vite. Këtë duhet të kuptojë dhe politika, që këtë atmosferë e sjellin këto lloj festivalesh.

-Ju në festival vini me rolin e Tolstoit në shfaqjen me regji nga Armand Bora. Sa ka qenë i vështirë për ju ky personazh në skenë?

Jam me rolin e Tolstoit në veprën e autorit Miro Gravran “Çehovi i jep lamtumirën Tolstoit”, që është një nga dramaturgët më të mëdhenj. Një rol shumë i vështirë, loz Tolstoin. Por mendoj se kam dhe një rol shumë të mirë në këtë shfaqje.

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here