Filmi “Gjeneral Gramafoni” me regji nga Viktor Gjika prodhim i vitit 1978 iu nënshtrua më parë procesit të restaurimit. Pas këtij procesi, Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit shfaqi për publikun premierën e filmit të restauruar të “Gjeneral Gramafonit” në kinemanë Cineplexx (TEG). Falë bashkëpunimit mes Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit dhe Fondazione Gramsci di Puglia në kuadër të projektit “Për një rrjet institucionesh kulturore midis Pulias dhe Shqipërisë”, u krye në qendrën DABIMUS srl në Bari, restaurimi digjital i filmit “Gjeneral Gramafoni”. AQSHF shprehej më herët se ishte një film kult i kinematografisë shqiptare me skenar nga Vath Koreshi dhe muzikë të stilizuar bukur nga mjeshtri Aleksandër Peçi, nën regjinë e të madhit Viktor Gjika, që vinte për publikun i restauruar mjeshtërisht në studion e qendrës DABIMUS srl nën drejtimin e profesorit Nicola Barbuti. Së bashku me premierën u promovua edhe libri i shkruar nga Ester Gjika “film pas filmi – unë e bija e…”, botuar nga “Toena”. ASHF shprehet se një nga momentet më emocionues të filmit “Gjeneral Gramafoni” është dhe interpretimi i valles së Osman Takës nga valltari i njohur Taip Madani, një nga perlat e folklorit shqiptar, ndërsa sjell në vëmendje dhe kujtimet e regjisorit Viktor Gjika. “Vathi e rishkroi skenarin edhe njëherë nga e para, duke e pasuruar me sugjerimet e bashkëpunëtorëve të grupit. Nga Festivali Folklorik i Gjirokastrës ai zgjodhi vallen heroike të Osman Takës, ku heronjtë vallëzonin mbi barqet e shoku-shokut”-kujton Viktor Gjika në librin e tij “Vit pas viti”. Në mesin e viteve ’30 fillon penetrimi dhe parapërgatitja e pushtimit Italian të vitit 1939. Halit Berati, një klarinetist virtuoz dhe Parandili ftohen nga një sipërmarrës italian të incizojnë në pllaka gramafoni, meloditë e tyre të cilat do të shiten së bashku me muzikën italiane të kohës së fashizmit. Gjatë kësaj kohe fillojnë grevat e punëtorëve të naftës ku Halil Berati është punëtor. Aktorë në role Bujar Lako, Guljelm Radoja, Sheri Mita, Reshat Arbana, Sandër Prosi, Kadri Roshi, Tinka Kurti, Dhimitër Orgocka, etj. Viktor Gjika ishte një nga regjisorët më të rëndësishëm dhe të shquar të filmit shqiptar.