“Një dasmë e hatashme” prodhim i Teatrit Shëtitës “Çajupi” këtë mbrëmje është në Krujë. Komedia brilante që ka pasur sukses në çdo skenë ku është shfaqur deri tani, sonte do të shfaqet në Pallatin e Kulturës “Ibrahim Berdaku” në Krujë. Vepra e autorit Robin Hawdon me regji nga Kiço Londo është mirëpritur nga publiku kudo që është shfaqur në skena dhe këtë mbrëmje “Një dasmë e hatashme” shënon shfaqjen e 27-të në qytetin e Krujës. Regjisori Kiço Londo deri tani ka sjellë në skenë vepra të ndryshme teatrore që janë mirëpritur nga publiku në aktivitetin e tij artistik. Por për komedinë britanike “Një dasmë e hatashme” Londo shprehet se teksti, ritmi dhe aktorët në role morën vlerësimin e publikut. “Së fundmi komedia “Një dasmë e hatashme” ishte në qytetin e Vlorës. Salla plot edhe të hënën që nuk kishte asnjëherë traditë. Teksti i veçantë, ritmi dhe stafi i aktorëve goditën te publiku”, shprehet regjisori Londo i pyetur rreth kësaj komedie. Në rolet e komedisë janë Julian Deda, Fatma Haxhialiu, Ermira Hysaj, Marjana Kondi, Denisa Demaj dhe Engjëll Hoxha. Teatri Shëtitës “Çajupi” që udhëhiqet nga regjisori Kiço Londo ka sjellë deri tani prodhime të ndryshme teatrore, një sukses me veprat që janë shfaqur për publikun, ku në vijim të tyre vjen dhe komedia brilante “Një dasmë e hatashme”, që këtë mbrëmje do të jetë në Krujë.
Komedia në skenë
“Një dasmë e hatashme” vepra e autorit Robin Hawdon është një komedi tipike britanike, që përfshin një numër të pafund përplasjesh me shpejtësinë e dritës. Më herët regjisori Kiço Londo ka treguar se ajo që e ka ngacmuar më shumë për të sjellë këtë komedi brilante në skenë është linja e dashurisë. Por arsyeja e parë pse zgjodhi këtë vepër sipas tij është koherenca, që ka me realitetin shqiptar. “Ngjarjet në vepër përshkruhen nga një kaos, nga mungesa e qetësisë, nga zgjedhjet gabim, nga çorientimi psiqik dhe fizik i personazheve dhe vetëm ndërhyrja e fortë e dashurisë bën që situata të kthehet në normalitet. Por ajo që më ka ngacmuar më shumë është linja e dashurisë së veprës. Pra përveçse është një komedi e bukur, e shpejtë, me karaktere të fuqishme, me dialog brilant, vepra ka edhe një linjë të dashurisë romantike”, shprehet regjisori Londo. Vepra është me një përkthimi brilant të Artur Lenës. Në mëngjesin e dasmës së tij, dhëndri zgjohet në suitën e hotelit me një vajzë të panjohur, e cila rezulton të jetë e dashura e re e shokut të ngushtë. Dhëndri dhe shoku që është dhe kumbari (duke mos ditur kush është vajza) e kalojnë aktin e parë, duke u përpjekur të fshehin situatën nga nusja dhe të përdorin shërbyesen e dhomave. Situata bëhet më e ndërlikuar pasi zbulohet identiteti i vajzës dhe i shërbëtores. Shoku i ngushtë, nusja dhe nëna e nuses fillojnë të bashkojnë të gjitha pjesët. Gjithçka funksionon në fund, por jo pa dhimbje.











































