Vepra teatrore “Gadjo” pritet të vijë në skenën teatrore me në role aktorë nga Shqipëria dhe Kosova. Drama shkruar nga dramaturgu Jeton Neziraj pritet të jetë premierë në skenë në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” nga fundi i këtij muaji dhe vjen në vijim dhe të shfaqjeve të tjera, që janë prezantuar deri tani në sezonin artistik. Dramën shqiptare “Gadjo” e sjell në skenë regjisorja Blerta Neziraj. Kjo shfaqje që do të jetë premierë në skenën e Tiranës këtë sezon artistik nuk do të mungojë dhe në Kosovë. Në një material më parë nga Teatri Eksperimental mbi veprat që do të ishin në skenë këtë sezon artistik, thuhet se drama “Gadjo” (një term që romët e përdorin për jo-romët) synon të nxisë debat mbi racizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm te të rinjtë në Kosovë e në Shqipëri, por po ashtu synon të hulumtojë dhe analizojë këtë shekull të mosdijes dhe intolerancës që nxitet e promovohet nga mediat e papërgjegjshme, në një mjedis ku tregu medial është kaotik dhe i pakontrolluar dhe ku nevoja për “klikime” është shndërruar në qëllim sipëror. ““Gadjo” nxit dhe konfronton shoqërinë shqiptare mbi romët, mitet mbi ta dhe pozitën e tyre në shoqëritë tona, ku racizmi, përbuzja janë të ngulitura thellë në vetëdijen tonë”, thuhet për këtë vepër teatrore, që pritet të jetë premierë këtë sezon artistik në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental. Dramaturgu nga Kosova Jeton Neziraj ka shkruajtur pjesë të ndryshme teatrale, të cilat janë vënë në skena të vendeve të ndryshme në Europë, por edhe në SHBA. Shkrimet dhe dramaturgjia e tij është përkthyer në më shumë se 10 gjuhë, duke përfshirë këtu: anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, sllovakisht, sllovenisht, kroatisht, rumanisht, spanjisht, etj. Jeton Neziraj është autor i shumë artikujve mbi çështje të politikës dhe kulturës, të publikuar në revista dhe gazeta kombëtare dhe ndërkombëtare.
Vepra si bashkëprodhim
“Gadjo” (dramë) vjen në skenë si bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivoli”, Teatrit të Qytetit të Gjilanit dhe Qendrës “Multimedia”. Qendra Multimedia që drejtohet nga dramaturgu Jeton Neziraj është një organizatë kulturore nga Prishtina, Kosovë. Fokusi i saj kryesor është teatri bashkëkohor dhe letërsia. Konsiderohet të jetë një nga kompanitë teatrore më interesante dhe provokuese në Evropën Juglindore. Qendra Multimedia është themeluar në vitin 2002 nga një grup artistësh të rinj me synim të krijimit të një forme alternative të prodhimit të artit për të adresuar çështjet politike dhe shoqërore me qartësi dhe imagjinatë. Qendra prodhon dhe bashkëprodhon shfaqje teatrore dhe inovative dhe aktivitete tjera kulturore dhe letrare për audiencën vendore dhe ndërkombëtare. Shkëmbimet artistike me partnerët ndërkombëtar janë të rëndësishme për Qendrën Multimedia.



































