“The Handke Project” është një projekt teatror ndërkombëtar, që ka bërë bashkë artistë shqiptarë dhe të huaj. Vepra e autorit Jeton Neziraj së shpejti shënon premierën shqiptare në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë. Me regji nga Blerta Neziraj shfaqja teatrore me në rol kryesor aktorin e njohur Arben Bajraktaraj do të jetë në Teatrin Eksperimental mbrëmjen e datës 16 të këtij muaji. Dramaturgu kosovar Jeton Neziraj shprehet se është një vepër që u shkrua në vitin 2022. Aktorë në role janë Arben Bajraktaraj, Adrian Morina, Ejla Bav?i?, Anja Drljevi?, Verona Koxha, Klaus Martini. Teatri Eksperimental në një material për shfaqjen shprehet se përmes prizmit të laureatit kontravers të çmimit Nobel për letërsi, Peter Handke, një ansambël pan-evropian navigojnë nëpër baraspeshën delikate ndërmjet lirisë së shprehjes dhe përgjegjësisë shoqërore në teatër. ““The Handke Project” është një performancë teatrore për shkrimtarin që me librat dhe qëndrimet e tij ka fabrikuar e ka përmbysur faktet e luftërave në ish Jugosllavi; ka nxitur dhe përkrahur ideologjinë e “tokës së djegur”, si dhe u ka thurur elozhe poetëve e filmbërësve militantë, të konvertuar në ‘inxhinierë të projekteve gjenocidale’. Në varrimin e kriminelit Millosheviq, Handke i thoshte masës së njerëzve të etur për gjak, se ai “nuk e di të vërtetën” dhe se prandaj është “këtu afër Millosheviqit, afër Serbisë”. Vuajtjen e serbëve Handke e krahasonte me vuajtjen e hebrenjve në kohën e nacizmit!”, thuhet në material. Artistë nga Kosova, Serbia, Bosnja e Hercegovina, Italia, Maqedonia e Veriut, Franca, Mali i Zi e Gjermania diskutojnë e trajtojnë “marrëzitë e Peter-it”, nën dritë edhe të luftës në Ukrainë e në një kohë kur shumë institucione kulturore në Evropë po u kërkojnë artistëve nga Rusia, që publikisht t’i shprehin qëndrimet e tyre ndaj luftës në Ukrainë. “Një vijë e kuqe është duke u vënë ndaj krejt atyre artistëve rusë që në një mënyrë apo tjetër janë përkrahës të Putinit dhe të luftës. Ndërkohë, Handke dhe handkistët evropianë vazhdojnë të kalërojnë të lirë, edhe përmbi 8 mij varret e të vrarëve në Srebrenicë. Prandaj, siç e ka thënë bukur Eric Gordy: Handke është kitsch! Por edhe Nobeli për të është kitsch. E edhe mbështetësit e Handkes janë kitsch. E kitsch është edhe hipokrizia evropiane”, thuhet rreth veprës.
Produksion i Qendrës Multimedia
Për këtë produksion, Qendra Multimedia që drejtohet nga dramaturgu Jeton Neziraj ka bashkuar një ansambël pan-evropian të shkrimtarëve, performuesve dhe artistëve nga Kosova, Italia, Gjermania, Serbia e më gjerë, secili prej të cilëve ka sjellë një perspektivë të veçantë në këtë vepër. Këtu përfshihen dramaturgia e njohur serbe Biljana Srbljanoviq, e cila ndihmon si dramaturge dhe shkrimtarja kroate me bazë në Gjermani Alida Bremer, e cila në shtypin gjerman ka shkruajtur gjerësisht për Handken. ??Qendra Multimedia në bashkëpunim me Mittelfest & Teatro della Pergola (Itali), Teatrin e Dortmundit (Gjermani), Teatrin Kombëtar të Sarajevës & Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit- Scene MESS (Bosnjë dhe Hercegovinë) prezantuan “The Handke Project” vitin e shkuar. Vepra teatrore “The Handke Project” për herë të parë në skenë ka qenë në teatrin “Oda”, Prishtinë (Kosovë), për të vijuar dhe në të tjera skena teatrore më pas si në Ferizaj, Shkup, Verona-Itali, etj.



































