Vepra “Tre dimra” në sezonin artistik të teatrit Metropol do të sjellë në skenë aktorë të njohur. Shkruar nga autorja kroate Tena Stivicic dhe me regji nga Rozi Kostani vepra teatrore do të rikthehet në teatrin Metropol, si një nga produksionet e suksesshme. Drama “Tre dimra” e Tena Stivicic u shfaq si fillim premierë në Teatrin Kombëtar, Londër, në nëntor 2014 dhe fitoi çmimin Susan Smith Blackburn në vitin 2015. Regjisorja Rozi Kostani një nga emrat e vlerësuar të jetës artistike në vend, ku ka sjellë për publikun vepra të ndryshme teatrore, tregon se shfaqja “Tre dimra” publikun e joshi për ngjarjet e saj. “Publiku e ka pëlqyer, sepse ka parë historinë e jetës së tij, e vërteta është një histori kroate, por e ngjashme me një histori tonën”, shprehet ajo për veprën që do të rikthehet këtë sezon artistik. Kjo vepër e shkruar nga autorja kroate ndjek fatet e katër brezave të grave të një familjeje gjatë një shekulli të trazuar. “Është një vepër, e cila hedh dritë mbi problemet në shoqërinë moderne duke vëzhguar gjendjen e botës nga këndvështrimi i grave”, thuhet nga teatri. Vepra vjen në skenë me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të aktorëve Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Marjeta Ljarja, Viktor Zhusti, Sokol Angjeli, për të vijuar dhe me artoistë të tjerë në role si Elia Zaharia, Armela Demaj, Sonila Kapidani, Xhino Musollari, Klea Konomi, Kastriot Ramollari, Klesta Shero, Ketjona Pecnikaj, Ina Morinaj dhe Amri Hasanlliu. Trupa e ansamblit “Tirana”, ku në shfaqje janë dhe studentët e Universitetit të Arteve. Muzika në “Tre dimra” është nga Genti Rushi, mjeshtër vokali Suzana Turku, skenograf Stjuart Reçi dhe kostumograf Frenci Gjerasi. “Tre dimra” do të jetë në skenën e teatri Metropol në datat 13, 14, 15, 16, 20, 21, 22, 23, 27, 28, 29, 30 prill.
Tre dimra
Ngjarjet e veprës zhvillohen në një vilë të ndërtuar në vitin1898 në Zagreb të Kroacisë. Ky udhëtim në kohë ndodh gjatë 75 viteve, ku ngjarjet fokusohen në tre dimra, në tre pika të ndryshme të zhvillimit të vendit, në vitin 1945 gjatë krijimit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, në vitin 1990 te shpërbërja e saj, e më pas deri në 2011 kur Kroacia e pavarur, aspiron e negocion për t’u bashkuar me BE-në. Ndërkohë që fokusi i shfaqjes është vetëm një shtëpi dhe një familje, në atë shtëpi është shkruar e gjithë historia e fundit e Kroacisë dhe bashkë me të forcat kryesore politike dhe ndryshimet ideologjike që kanë formësuar Evropën moderne. Autorja nuk ka për qëllim të jap një mësim historie për vendin ku u lind dhe u rrit. “Kjo nuk do të më interesonte kurrë si dramaturge. Shpresoj se po hedh dritë mbi marrëdhëniet brenda familjes”, shprehet Stivicic në një intervistë të vitit 2014 dhënë në Londër. Stivicic pati suksesin e saj të parë si dramaturge në vitin 1999 me Can’t Escape Sundays, e cila u shfaq në Slloveni dhe Serbi, si dhe në vendin e saj të lindjes. Veprat e saj që atëherë janë vënë në skenë në Gjermani, dhe në vitin 2007 Fragile! premierë në Arcola në Londër. Ajo është inskenuar në Londër mes emigrantëve nga Serbia dhe Kroacia dhe që atëherë është parë në disa vende të Ballkanit. Tena Stivicic jetoi një pjesë të kësaj periudhe të trazuar. Tani banon në Londër.



































