“Dhjetë kërcimet – Tirana my Rhythm” vjen këtë mbrëmje premierë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Në vijim të sezonit artistik këtë vit në skenën e këtij teatri kemi parë shfaqje të ndryshme teatrore, ku nuk kanë munguar dhe ato që vijnë në kuadër të bashkëpunimeve. Këtë mbrëmje në orën 20:00 vjen një tjetër premierë, me koreografi nga Giulio De Leo. Në skenë në shfaqje janë Mariel Brahimllari, Valentina Myteveli, si dhe Semela Skënderasi. “Dhjetë kërcimet-Tirana my Rhythm” sipas materialit të shfaqjes nga teatri është një projekt koreografik i Giulio De Leo, i lindur nga ftesa e Gjergj Prevazit, drejtor i teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgli” në Tiranë . Kjo sipas njoftimit të teatrit, për të zhvilluar një krijim me interpretuesit e rinj të Kompanisë Shqiptare të Kërcimit dhe nga interesi i koreografit italian drejt peizazhit kulturor shqiptar. “Një vepër që sjell në lojë gjuhën e kërcimit, fotografisë dhe videografisë për të krijuar një krijim inovativ dhe jokonvencional. Elementë të traditës së vallëzimit popullor shqiptar ripërpunohen në një çelës bashkëkohor dhe reduktohen në një çelës ciklik dhe ritual, për të ndërtuar një rrugëtim poetik në të cilin vetë trupi bëhet peizazh dhe vendtakim për pamje dhe kultura të ndryshme”, thuhet në materialin rreth shfaqjes që këtë mbrëmje shënon premierën në Tiranë. Muzika nga Sergio Altamura, ndriçimi Antonio Longo, kostumografia Sofi Kara. Bashkëpunëtor artistik në shfaqje është Carmelo Antonio Zapparrata.
Realizimi i projektit
Projekti i shfaqjes “Dhjetë kërcimet – Tirana my Rhythm” është i zhvilluar falë mbështetjes së Institutit Italian të Kulturës në Tiranë. Shënon premierën këtë mbrëmje në Teatrin Kombëtar Eksperimental në Tiranë, por në vijim në muajin korrik do të prezantohet në Itali në një premierë kombëtare si pjesë e “Le Danzatrici en plein air 2023”, Festivali Ndërkombëtar i Kërcimit Bashkëkohor i drejtuar nga Giulio De Leo dhe i njohur dhe financuar nga Ministria e Kulturës, Rajoni i Pulias dhe Bashkia e Ruvo di Puglia. Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” nga muaji mars deri në korrik do të ketë në skenë gjashtë premiera. Shfaqje për të rritur dhe për fëmijë, si dhe danc kontemporan. Kalendari artistik përmban shfaqje të ndryshme, ku nuk mungojnë dhe bashkëprodhimet teatrore. Më herët drejtori i Teatrit Eksperimental Gjergj Prevazi gjatë fjalës së tij ka shprehur gjithashtu se platforma e tij synon produksione të teatrit bashkëkohor, nga vendi, rajoni dhe më gjerë. “Kjo platformë synon përshtatjen me një qasje më bashkëkohore të produksioneve, çka do tu jepte një hapësirë edhe jashtë vendeve produksioneve tona. Kjo përmes përmirësimit të estetikës dhe rritjes së nivelit për përshtatjen me tregun ndërkombëtar. Pra, pavarësisht tregut të vogël brenda kufijve, do të synojmë që shfaqjet tona, të shkojnë fillimisht drejt festivaleve rajonale, e më pas në Evropë e më gjerë”, u shpreh Prevazi. Pas premierës që do të jetë sonte në skenë në vijim janë të tjera shfaqje për publikun.



































