Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj ka kërkuar shfuqizimin e kontrolleve nga pjesëtarë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit në banesat në pronësi të ish-bashkëshortes Albina Mançka dhe partneres së tij Erjola Hoxha. Ish-nr.2 i qeverisë aktuale po hetohet për veprën penale të pastrimit të parave dhe i ka konsideruar të paligjshme kontrollet e javës pasi nuk është marrë autorizim nga Kuvendi dhe për më tepër, bashkëjetuesja e tij, Erjola Hoxha, është gjendur në presionin e frikës së arrestimit nga zyrtarët e drejtësisë. Njëri prej ish-ministrave më të fuqishëm socialistë në 10 vitet e fundit ka apeluar kontrollet e SPAK dhe BKH në Shkallën e Apelit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ahmetaj është vënë nën shënjestrën e drejtësisë muajt e fundit. SPAK ka pranuar se ai po hetohet për veprimet e kryera lidhur me inceneratorin e Elbasanit. Kryeministri Edi Rama dhe lidershipi socialist kanë “flakur në rrugë” ish-ministrin më të lavdëruar nga radhët e socialistëve. Në kontrollet e ushtruara në 9 mars nga SPAK dhe BKH gjeti 30 mijë euro në 1 nga 3 banesat në pronësi të Erjola Hoxhës, kurse në objektet në pasuri të ish-gruas së Ahmetaj, nuk u gjet asgjë. Gjithashtu SPAK është në kërkim të dokumenteve dhe lap topit, i cili mban provat që implikojnë Ahmetajn në aferën e Inceneratorëve.
Ahmetaj: Kontrolli i paligjshëm dhe antikushtetues, duhej autorizim nga Kuvendi
Në kërkesën e tij drejtuar Apelit të GJKKO, ish-ministri Ekonomisë dhe Financave argumenton se kontrollet në banesat e partneres së tij janë kryer në shkelje kushtetuese, pasi duhej që Kuvendi i Shqipërisë të autorizonte SPAK dhe BKH, për shkak se vetë Ahmetaj është deputet në Parlament. “Si përfundim, duke kërkuar sende që lidhen me veprën/veprat penale që dyshohet se ka kryer z. Arben Ahmetaj (znj. Hoxha nuk përfshihet në rrethin e subjekteve që Prokuroria e Posaçme ka kompetencë për t’i hetuar – neni 75/a i KPP), në banesën në pronësi të znj. Erjola Hoxha, si prokuroria, ashtu edhe gjykata, kanë qenë të ndërgjegjshme për lidhjen e tyre në bashkëjetesë; pra, duke vendosur të kontrollonin banesën e znj.Hoxha, ato ishin të ndërgjegjshme që po kontrollonin banesën e deputetit Ahmetaj pa mandat kontrolli, në cenim të Kushtetutës dhe të ligjit procedural”, thuhet në kërkesë.
Ahmetaj: Partneres time iu sekuestrua telefoni në vendin e saj të punës
Më tej, Ahmetaj ngre pretendimet se partnerja e tij, është ndaluar për kontroll nga 3 hetues të BKH në 9 mars në vendin e saj të punës para zyrave të kompanisë “4Ig”, dhe në mënyrë të paligjshme, i kanë cenuar privatësinë duke i hapur telefonin e më pas sekuestruar. “Vendimi për lejimin e kontrollit personal të znj. Hoxha u ekzekutua në kundërshtim me ligjin. Më 9 mars 2023, rreth orës 10:00, 3 persona të vetëparaqitur si hetues të BKH, 2 vajza dhe 1 djalë, po e prisnin para zyrave të shoqërisë ‘4ig Group’, ku ajo kryen detyrën e Drejtorit të Marketingut Strategjik për Ballkanin Perëndimor. Pasi u prezantuan, i thanë se duhej të ekzekutonin një vendim gjykate për kontrollin e saj personal dhe i kërkuan t’u dorëzonte telefonin celular, fjalëkalimin e hapjes dhe PIN-in e kartës SIM. Pas dorëzimit të telefonit dhe të fjalëkalimeve, hetuesit i bënë të ditur se telefoni i saj ishte nën sekuestro”, shkruhet në padinë e Ahmetajt.
Ahmetaj: Hetuesit e BKH frikësuan në mënyrë të paligjshme partneren time
Ish-zv/kryeministri akuzon punonjësit e BKH që ndaluan dhe kontrolluan partneren e tij, Erjola Hoxha se i kanë shkaktuar frikë, ankth dhe inferioritet duke e poshtëruar në mënyrën e marrjes së të dhënave për të hapur e sekuestruar telefonin e saj. “Gjithashtu vënia e saj nën trysni nga hetuesit e BKH menjëherë sapo u vu në kontakt me ta dhe kërkesa e tyre e menjëhershme për të dorëzuar fjalëkalimet që lejonin hyrjen në komunikimet që përmbante telefoni i saj celular është një akt ku shfaqet mungesa e respektit për dinjitetin e njeriut dhe trajtimi poshtërues që i shkaktuan asaj ndjenjën e frikës, ankthit dhe inferioritetit”, vazhdon më tej kërkesa.
Kontrollet, Ahmetaj: Erjola Hoxhës nuk iu garantua avokat dhe njeri të besuar
Një tjetër shkelje që Arben Ahmetaj pretendon se është kryer ndaj partneres së tij nga BKH dhe SPAK është se ajo s’mund të kontrollohet pasi nuk është punonjëse e funksionare shtetërore dhe gjatë kontrollit në vilën në Hamallaj nuk i është mundësuar kontakti me avokat dhe sigurimin e një personi garant përpara se të niste kontrolli nga BKH dhe SPAK. “Bashkëjetuesja e Ahmetajt nuk është funksionare e administratës e s’ka lidhje me faktet që hetohen nga Prokuroria e Posaçme dhe vetëm sepse është bashkëjetuese e Ahmetaj, është bërë pjesë e kësaj procedure. Zonjës Hoxha nuk iu garantua e drejta për të pasur praninë e një personi të besuar ose një mbrojtësi të zgjedhur para se të fillonte kontrolli i banesës. Ajo nuk kishte në dispozicion asnjë mjet komunikimi me të cilin të kontaktonte avokatët e saj, pasi telefoni iu sekuestrua menjëherë”, mbyllet kërkesa e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj në Apelin e GJKKO.
































