Në garën për bashkinë e Tiranës më 14 Maj, përballë Erion Veliajt, rivali i tij nga Partia Demokratike e Berishës, Belind Këlliçi nuk do të jetë kandidati i vetëm, pasi edhe PD e Enkelejd Alibeajt synon që të ketë emrin e saj në zgjedhjet lokale. Zoti Alibeja sot që flasim është kryetar i komanduar i Partisë Demorkatike dhe me nxjerrjen jashtë loje të ish-kryeministrit Sali Berisha nga gjykata, ai ka shtuar përpjekjet që të afrojë pas vetes sa më shumë demokratë që deri më dje mbështesnin verbërisht “Foltoren”, ndërkohë që paralelisht ka nisur negociatat për të dalë me kandidatë të tij në zgjedhjet vendore, paçka se “Rithemelimi” nuk tërhiqet. Në lojë dhe që pritet të nominohen nga PD zyrtare për Bashkinë e Tiranës, janë shkrimtari Rudi Erebara dhe deputeti i njohur, njëherësh kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehu. Në rast se njëri nga këta do të pranojë ofertën e Alibeajt, gjasat janë që ai të jetë kandidati më i fortë i Veliajt, duke qenë se Këlliçi i përket grupit anti-amerikan të Berishës dhe Metës, ku padyshim që demokratët do ta ndëshkojnë me votë, duke votuar emrin e propozuar për bashkinë e kryeqytetit nga grupimi i Bashës. Pra, kjo lëvizje strategjike e Alibejat, është një grusht i fortë në fytyrën e Sali Berishës, pasi në çdo bashki, Partia Demokratike zyrtare do ketë kandidatët e saj në të 61 bashkitë e vendit në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Reagon shkrimtari Erebara
Ndërkohë shkrimtari Rudi Erebara ka reaguar në rrjetet sociale, pas kërkesës që i është bërë nga grupi i Alibeajt për të kandiduar për kryetar bashkie i Tiranës. Ai ende nuk ka dhënë një përgjigje për këtë ftesë, ndërsa në këtë status ka kërkuar mendimin e qytetarëve nëse do duhet ta pranojë ose jo si propozim. “E vështirë ndryshimi si në 1991. Më kanë kërkuar partia demokratike e vërtete për kryetar bashkie. Më poshtë mund të jepni mendime. Edhe unë e kam një mendim se kam gëzim të madh që kemi nxjerrë njerëz nga burgu. Kam gëzim të madh që u kthyem shtëpitë shqiptarëve. Kam gëzim të madh, që mbërriti kjo ditë kur mund të na përmendin emrin. Edhe vazhdoni me poshtë. E vazhdoj ketë dhimbje të madhe se pashë një mik e vëlla me lot. Një mik e vëlla Amerikë, që qante. Unë e di që nuk kemi shume ndonjë gjë, por të paktën me poshtë thoni pse jo, pse nuk duhet të jem unë kryetar i Bashkisë Tiranë kur ju kanë vjedhur me miliarda. Edhe pse jo, të jetë një tjetër që nuk janë ata”, shkruan shkrimtari Rudi Erebara.
Zgjedhjet e 14 majit, flet Dashamir Shehi
Por teksa ethet e zgjedhjeve të ardhshme vendore të 14 majit kanë filluar, gara mes kandidatëve zyrtarë sa vjen e bëhet më e fortë. Sikundër gazeta “SOT” e përmendi më sipër, deputeti dhe kryetari i LZHK, Dashamir Shehi është një ndër kandidatët e mundshëm të përfolur nga kampi opozitar. Në një intervistë për mediat, zoti Shehi nuk e përjashton mundësinë për të kandiduar në kryeqytet. “Deri tani se kemi vendosur, jam popull si personazh, jam votuar nga populli në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë këtë e di, gjithmonë kam marrë vota dhe prapë do marrë, gjithsesi ne po bëjmë disa sondazhe, po shohim deri ku shkon kjo ide, e mira e kësaj pune do ishte që kandidati të ishte një, ndoshta edhe dikush më i ri se sa unë. Kur flasim për kryetar të bashkisë së Tiranës flasim për një politikanë të një rangu tjetër. Ndërsa projeksioni im ka qenë gjithmonë projeksion politikë”, deklaroi deputeti Shehi. Kujtojmë se Dashamir Shehi i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar dhe Bindja Demokratike e Astrit Patozi do të jenë bashkë në një aleancë para zgjedhore në garën elektorale për zgjedhjet lokale të 14 majit, ku fokusi do të jetë tek Këshillat Bashkiakë. Ato paralajmëruan se nëse opozita do të dalë me 2, 3 apo më shumë kandidatë, edhe grupimi i tyre do të nxjerrë një kandidat për zgjedhjet lokale. Megjithatë, mbetet të shihet se kush do të jetë kandidati i grupit të Bashës që do të garojnë për kryetar në Bashkinë e Tiranës sa i takon zgjedhjeve të 14 majit, ndërkohë që në disa qytetet janë mësuar emrat e PD zyrtare.