“Luba” nga regjisori Armand Bora, drama e një historie dashurie në diktaturë në skenën teatrore

0
105

Ngjarje dhe histori të viteve ’60-’70 në vendin tonë vijnë në “Luba”. Një vepër teatrore shqiptare shkruar nga Ylljet Aliçka, që e sjell në skenë regjisori Armand Bora. “Luba” një playbacktheater për herë të parë në skenën shqiptare do të jetë për dy mbrëmje me radhë në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Durrësit nën interpretimin e shtatë aktorëve. “Luba” do të jetë për publikun mbrëmjet e datave 11 dhe 12 mars. “Luba” është historia tragjike e një gruaje të huaj, martuar me një shqiptar. Ngjarje dhe histori të viteve ‘60-‘70 vijnë në skenë përmes parodizimit të sistemit diktatorial dhe shpërfaqjes së thelbit të tij kriminal.  Më herët regjisori Armand Bora ka treguar se shoqëria jonë ka ende detyrim ndaj personave që vuajtën në diktaturë. “Kënaqësia për vënien e kësaj shfaqje, është e dyfishtë, qoftë për sprovën e vënies së një forme të re teatrore, edhe për sa i përket faktit që iu rikthehemi këtyre temave, sepse ne si shoqëri kemi detyrim akoma ndaj këtyre personave, që vuajtën dhe e paguan shtrenjtë atë sistem, dhe për më tepër kur janë edhe të huaj, siç është rasti i Lubës. Këto gra, erdhën në Shqipëri duke ëndërruar parajsën dhe gjetën ferrin. Në këtë rast shoqëria ka detyrim, që minimalisht t’i kujtojë me një shfaqje apo bashkëbisedim të tillë”, shprehet regjisori Bora.

Puna me veprën

I krijuar për herë të parë në Amerikë nga JonathanFox dhe Jo Salas në vitin 1975, playbacktheater është një teatër i ndërtuar mbi interaktivitetin me spektatorët. Regjisori Armand Bora ka treguar se kur vendosi për ta sjellë këtë vepër në skenë, formati i saj krijonte lehtësi për ta përshtatur në një formë të re teatrore, që është playbacktheatre. “Mua më pëlqeu teksti, sepse përveç historisë që është shumë me ngarkesa emocionale, ishte shkruar në një format të tillë modern, që më krijonte lehtësi për të përshtatur një formë të re teatrore që është playbacktheatre, që për herë të parë eksperimentohet në Shqipëri. Një formë që është krijuar në Amerikë dhe është shpërndarë më pas nëpër gjithë botën. Një histori, që rrëfehet dhe materializohet në skenë nga aktorët”, tregon regjisori për pjesën që solli në skenë. Interpretojnë në shfaqje Xhoana Karaj, Kristian Koroveshi, Igli Fusha, Astiano Shehaj, Livion Aliaj, Klaudio Gega, Eno Basha. Koreografe Veroniki Chatzopoulou, kompozitor EnisMullaj dhe as/regjisor: AstianoShehaj. Autori Ylljet Aliçka është i vlerësuar në krijimtarinë e tij ndër vite dhe këtë herë vepra e tij sillet në skenë nga Armand Bora. Si regjisor Armand Bora ka shumë vite pune në teatër, duke filluar prej vitit 1994 në teatrin “Petro Marko” në Vlorë dhe për të vazhduar pastaj në Teatrin e Operës, Teatrin Kombëtar, në disa skena të tjera shqiptare dhe të huaja deri në Australi, ku ka mundur të bashkëpunojë me dy aktorë australian në teatrin e famshëm “La MAMA” në Melburn, etj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here